Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim shefen e diplomacisë finlandeze Elina Valtonen me të cilën bisedoi mbi raportet ndërmjet dy shteteve, bashkëpunimin në ekonomi, zhvillimet rajonale dhe nevojën për një BE dhe NATO më të fuqishme në dritën e invazionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Kurti shprehu falënderimin e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës, përfshirë përkrahjen në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe integrimin evropian, kontributin në siguri dhe sundim të ligjit, si dhe në zhvillimin social dhe ekonomik.
Kurti uroi Valtonen, shtetin e Finlandës dhe popullin finlandez për anëtarësimin në NATO në prill 2023, duke theksuar se anëtarësimi në Aleancën Veri-atlantike është po ashtu qëllim i Kosovës, që sikurse Finlanda kufizohet me një fqinj autokrat dhe agresiv që rrezikon paqen dhe sigurinë rajonale.