Kosova siguron kredi 60 milionë euro për Fshatin Olimpik të Lojërave Mesdhetare 2030. Këtë e ka bërë të ditur ministri i deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ku u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve, zhvillimet në rajon dhe mbështetjen franceze për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Haddad bëri të ditur se tashmë është nënshkruar një kredi prej 60 milionë eurosh për rinovimin e kompleksit të banimit të studentëve, projekt i cili do të jetë një nga investimet kryesore për përgatitjet e Kosovës për ngjarjen e madhe sportive të vitit 2030.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësoi mbështetjen e Francës për vendin tonë, duke theksuar se kontributi francez për Lojërat Mesdhetare shkon përtej ndihmës praktike.
“Sot zhvilluam një takim të frytshëm ku diskutuam për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, çështjet e sigurisë dhe zhvillimet e tjera në rajonin tonë. E shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, përfshirë edhe ndihmën e Francës që është e gatshme ta japë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ky është një kontribut që shkon përtej mbështetjes praktike. Ajo është shprehje e angazhimit të dy vendeve tona dhe e besimit të Francës, si fuqi qendrore në Bashkimin Evropian, por edhe mesdhetare, në potencialin dhe në të ardhmen e Kosovës. Kjo ua jep Lojërave Mesdhetare 2030 një dimension të ri”, deklaroi Konjufca.