Kosova nis sot rrugëtimin në edicionin e ri të Ligës së Kombeve me ndeshjen ndaj Qipros në udhëtim. Kjo sfidë do të shënojë edhe debutimin e trajnerit Alain Giresse në ndeshjet zyrtare në krye të “Dardanëve” në një grup ku bëjnë pjesë edhe Greqia dhe Irlanda Veriore.
Pritjet nga ndeshja me Qipron si dhe tri të tjerat që pasojnë në Grupin 2 të Ligës C, janë të mëdha.
“Sigurisht që e presim me entuziazëm. I gjithë komuniteti i futbollit natyrshëm që i ka sytë nga kombëtarja dhe natyrisht që presim rezultate. Ajo që duhet theksuar është që pritshmëritë kurrë nuk guxojnë t’i kemi maksimale sepse ajo sjellë një efekt negativ pastaj. Duhet të jemi realist, pavarësisht që kundërshtarët nuk i kemi shumë cilësorë, ekipe ose emra të fuqishëm të futbollit botëror, por megjithatë janë skuadra të cilat dëshirojnë respekt edhe duhet t’iu japim respekt, por mendoj që nuk duhet të jemi inferior. Mendoj që kësaj radhe kemi cilësi të bollshme dhe unë jam optimist që mundemi ta arrijmë një rezultat të kënaqshëm, pra nuk duhet të jemi inferior”, tha Gjonbalaj.
Optimist për rezultatet e Kosovës në Ligën e Kombeve shprehet edhe trajneri Ismet Munishi. Ai thotë për KosovaPress se garanci për këtë është forma e mirë e lojtarëve të kombëtares nëpër klubet e tyre evropiane.
Në lidhje me sistemin e lojës që duhet aplikuar në këto ndeshje, Gjonbalaj thotë se Giresse është adhurues i një loje sulmuese, por ai bën thirrje që aplikohet një lojë më e kujdesshme sepse një humbje eventuale ndaj Qipros do të ishte vështirë e rikuperueshme në ndeshjet e ardhshme.
“Selektori Giresse po e aplikon një sistem 4-3-3, rrjedhimisht në shumicën e kohës kërkon që të bëhet një lojë edhe ofensivë por mendoj që më e rrugës që të nisim pak më të kujdesshëm sepse neve na favorizojnë edhe futbollistët që i kemi sepse kemi shumë futbollistë këmbëshpejtë. Në lojën kundërsulmuese e kemi një lojë shumë efikase, prandaj mendoj që duhet të nisim me hapa të sigurtë. Një lëshim në këtë ndeshje është vështirë e rikuperueshme në ndeshjet e tjera sepse i kemi kundërshtarët pak më të fortë. Prandaj mendoj që në këtë ndeshje duhet të qasemi sikurse një finale sepse është ndeshja e parë, nëse dëshirojmë që të kemi sukses”, tha Gjonbalaj.