Kosova me ushtarët e saj të FSK-së, ka gjasa ta marrë përsipër një rol domethënës për sigurinë në Rripin e Gazës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për këtë pjesë të Palestinës.
Ani se nuk është konfiruar ende zyrtarisht nëse shteti më i ri në Evropë do të udheheq trupat që do ta ruajnë zonën problematike, nëpër faqe të ndryshme internet që raportojnë për siguri, janë publikuar harta në të cilat Kosova figuron si përgjegjëse për Gazën Veriore.
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, të premten në Uashington, e ka falënderuar Kosovën për angazhimin në këtë nismë, duke e cilësuar vendin si anëtar themelues në “Boardin e Paqes” dhe si kontribuues për ISF-në në Gaza, bashkë me Indonezinë, Kazakistanin, Marokun dhe Shqipërinë. Kjo e fundit, figuron si përgjegjëse për zonën Deir al Balah.
Në Prishtinë ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar 100 për qind e konfirmon këtë gjë, por lajmet se Kosova mund të jetë përgjegjëse për siguri në Gazën veriore është parë si një mundësi dhe hap i rëndësishëm në forcimin e rolit të saj ndërkombëtar në operacionet paqeruajtëse dhe stabilizuese.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese për Rripin e Gazës pritet të ketë rreth 20 mijë ushtarë, 8 mijë nga të cilët i ka premtuar Indonezia, një gjeneral i të cilit vend do të jetë zëvendëskomandant i kësaj trupe.
Po ashtu, sigurisë në këtë pjesë pritet t’i kontribuojnë edhe 12 mijë policë, shumica e të cilëve pritet të vijnë nga Egjipti dhe Jordania.
Forca ndërkombëtare për Stabilizimin e Gazës është produkt i marrëveshjes për paqe në Gaza, ndërmjet Izraelit e Hamasit, që ishte arritur tetorin e vitit të kaluar, me ndërmjetësim të presidentit amerikan, Donald Trump. Ajo i dha fund luftës që nisi më sulmin terrorist të Hamasit në Izrael, në tetor të vitit 2023. Jerusalemi zyrtar iu përgjigj ashpër këtij veprimi, duke nisur një fushatë të rreptë ndaj grupit radikal. Për pasojë, Gaza u shkatërrua në masë të madhe. Më tepër se 60 mijë palestinezë raportohet të jenë vrarë për dy vjet, sa zgjati konflikti.
Vetë Kosova ishte një vend që pati nevojë për një forcë të tillë ndërkombëtare të sigurisë, kur përfundoi lufta këtu, në qershor të vitit 1999. Trupa që mori përsipër sigurinë në Kosovë ishte KFOR-i i NATO-s. Kjo forcë u nda në pesë sektorë, që udhëhiqeshin nga shtetet e ndryshme. Britania e mori qendrën, respektivisht rajonin e Prishtinës. Gjermanisë iu la jugu, me seli në në Prizren. Veriu iu besua Francës, Perëndimi iu dha Italisë ndërsa lindja mbeti në duart e amerikanëve, selia e të cilëve ishte kampi Bondstill.