Kosova jashtë KiE-së, flasin pozita e opozita
Lexohet për: 5 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Pozita e opozita shprehen të ndara sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës nga disa vende evropiane duke lënë Kosovën jashtë agjendës zyrtare të 16 e 17 majit kur pritje votimi për hyrjen e saj në organizatën e rëndësishme evropiane. Agjenda e Këshillit të Ministrave 16 e 17 maj nuk përfshin Kosovën sikurse ishte paralajmëruar, por ambasadori gjerman Jorn Rohde ka thënë se kjo mund të ndryshojë teksa ka pasur edhe një porosi për Kosovën, duke aluduar në formimin e asociacionit si kusht për të marrë dy të tretat e votave të nevojshme. Nga pozita thonë se kriteri për asociacionin është vendosur pasi është miratuar raporti i Dora Bakoyannis, i cili mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për të kaluar drejt vendimit final. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci ka deklaruar për KosovaPress se mos vendosja e Kosovës në rendin e ditës në takimin e Këshillit të Ministrave me kushtëzimin për themelimin e asociacionit është e padrejtë, pasi Kosova ka përmbushur kriteret dhe rekomandimet për anëtarësim.

Ndërsa, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, konsideron se Qeveria Kurti ka humbur tashmë hapin drejt anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës. Ai për këtë fajëson vetë qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për shkak të zotimit para faktorit evropian se do ta bëjë asociacionin. Se Qeveria ka bërë veprime jo të mira dhe në dëm të shtetit të Kosovës e thotë edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. Sipas tij, kushtet e vendosura nga miqtë e Kosovës, janë fatkeqësia më e madhe për vendin, teksa draft-statutin evropian për asociacionin e quan të rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Njohësi politik, Dritëro Arifi thotë se Qeveria e Kosovës ka qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund të jetë pjesë e Këshillit të Evropës pa formimin e asociacionit. “Ky është kusht i vështirë, por kam frikë që mund të ndodhë historia e njëjtë me demarkacionin, se sa kohë kemi humbur”, tha Arifi.

Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se asociacioni nuk ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në KiE, ndonëse ka pranuar se disa vende anëtare të KiE kanë kërkuar një gjë të tillë, duke nënvizuar se kjo është kërkesë e vazhdueshme e bashkësisë ndërkombëtare. Ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 16-17 maj, në sfondin e 75-vjetorit të organizatës, ndërsa një ditë më herët, kur pritej votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE, ministrat e Jashtëm do të marrin pjesë në një ceremoni për 75-vjetorin e Këshillit të Evropës. Megjithatë, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde sot ka thënë se rendi i ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave mund të ndryshojë në momentet e fundit, duke mos dhënë më shumë detaje. Ai ndërkaq ka paralajmëruar Kosovën se duhet të merr një vendim të guximshëm, duke aluduar kështu në krijimin e asociacionit, për të marrë votat e nevojshme për anëtarësim në organizatën evropiane. Agjenda aktuale e KiE më 16 e 17 maj do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të merr në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023 dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit. Në fund të takimit, Lihtenshtajni do t'i dorëzojë Lituanisë Presidencën e Komitetit të Ministrave. Ministrja e Lihtenshtajnit për Punët e Jashtme, Arsimin dhe Sportin, Dominique Hasler, do të bëjë vlerësimin e presidencës së saj. Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Shimonyte, do të prezantojë prioritetet e Presidencës së vendit të saj.

Të premten më 17 maj në ora 13:00 është caktuar një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Lihtenshtajnit, kryeministrin e Lituanisë dhe sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Maria Pejçinoviq Buriq. Zëdhënësi i KiE Daniel Holtgen, deklaroi më 8 maj se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave dhe se nuk dihet kur mund të jetë, duke mos dhënë më shumë hollësi. Kosova muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë. Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor 2023, por që kryeministri Albin Kurti e cilësoi të papranueshëm një kushtëzim të tillë. Marrëveshja për formimin e asociacionit është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së. /E.Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024