Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore aprovoi sot asistencën financiare për dy projekte të reja në Kosovë me qëllim të forcimit të konkurrueshmërisë së sektorit privat dhe përmirësimit të konektivitetit.
Si Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar, me vlerë prej 52 milionë dollarë (49.1 milionë euro), ashtu edhe Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit (TTFP) 2.0, me vlerë prej 37.7 milionë dollarë (34.7 milionë euro), po financohen përmes kredive koncesionare nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA).
Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar synon që ta përmirësojë stabilitetin dhe përfshirjen financiare në Kosovë përmes forcimit të kapacitetit të Fondit të Sigurimit të Depozitave, financimit të ndërmarrjeve më pak të përkrahura dhe nxitjes së pagesave më të shpejta. Ky projekt do ta forcojë kapacitetin e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës për t’i mbrojtur kursimet e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë dhe do ta mbështetë Bankën Qendrore të Kosovës në promovimin e sistemeve moderne dhe digjitale të pagesave. Projekti gjithashtu do ta përmirësojë mjedisin financiar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme duke alokuar kapital për garantimin e kredive përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, duke tërhequr potencialisht afro 200 milionë dollarë investime nga sektori privat.
Ky projekt do ta ndihmojë edhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në krijimin e një Banke Kombëtare për Zhvillim, e cila do të financojë projekte zhvillimore që janë në përputhje me prioritetet e qeverisë.Ky projekt do të investojë në softuerë, pajisje harduerike, pajisje komunikimi dhe infrastrukturë të ndërlidhur për të implementuar sistemet e pagesës elektronike rrugore në segmentet kryesore rrugore në Kosovë, duke përfshirë Korridorin 6, Korridorin 7 dhe Autostradën e Gjilanit. Për më tepër, për ta përmirësuar sigurinë rrugore dhe hekurudhore, projekti do ta financojë përmirësimin e 21 vendkalimeve të hekurudhës përgjatë rrjetit kryesor dhe seksionit me rrezik të lartë rrugor ndërmjet Fushë Kosovës dhe Gjurgjicës, që shtrihet një gjatësi prej 28 kilometrave.