Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur paraditen e sotme seancën e fundit stërvitore para udhëtimit në Oslo, ku të mërkurën do të luajë miqësoren me Norvegjinë. Edhe në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Franco Foda ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, derisa për shkak të një shqetësimi të vogël muskular, Elbasan Rashani ka stërvitur i diferencuar nga grupi. Në seancën e sotme e cila nuk ka qenë aq e ngarkuar për shkak të udhëtimit, krahas ushtrimeve fizike dhe lojës me top, Foda një pjesë të konsiderueshme ia ka kushtuar skemave të ndryshme të lojës, me të cilat synon t’i kundërvihet suksesshëm Norvegjisë. Pas stërvitjes Vedat Muriqi dhe Valon Berisha ndanë opinionet e tyre për punën e bërë gjatë pesë ditëve të këtij grumbullimi si dhe për pritjet që kanë për miqësoren në Oslo.
Vedat Muriqi: “Si zakonisht e kemi filluar kampin me intensitet të lartë të stërvitjeve siç e dëshiron trajneri. Sot e patëm anën taktike dhe tani i dimë dobësitë e Norvegjisë dhe jemi të gatshëm ta përballojmë këtë sfidë. Ata kanë lojtarë superyje botërore, por nëse bazohemi te Haaland edhe ne kemi kapitenin tonë që e ka fituar Serinë A, ka luajtur në Ligën e Kampionëve, kështu që nuk besoj se Haaland do ta ketë të lehtë kundër nesh dhe sidomos Amirit. Futbolli nuk është vetëm me lojtar individ, por individët mund të jenë çelësi i fitores, por në këtë aspekt mendoj se Norvegjia përveç individëve nëse dëshiron të na mposhtë duhet të jetë kompakte. Mendoj se ne jemi më të fortë kolektivisht, derisa në aspektin individual duhet të jemi të sinqertë sepse nuk mund të krahasohemi. Besoj që në stadium do të jetë një numër i madh i kosovarëve që jetojnë në Norvegji. Atje është edhe familja e Valon Berishës dhe të gjithë janë të mirëseardhur. Edhe pse është vetëm miqësore ne shkojmë për fitore”.
Kombëtarja e Kosovës, sot pasdite, udhëton në Oslo, derisa nesër e zhvillon stërvitjen e fundit para miqësores me Norvegjinë, në “Ullevaal Stadion”.