Kosova duhet të investojë së paku 2.8 miliardë euro gjatë dekadës së ardhshme për të ruajtur komunat, ekonomitë nga ndikimet katastrofike të ndryshimeve klimatike.
Kështu ka thënë Massimiliano Paolucci me rastin e prezantimit të raportit për klimën dhe zhvillimin (CCDR) për Kosovën, të prezantuar nga grupi i Bankës Botërore.
"Nëse shihni për rreth nuk është lajm që klima po ndryshon në mënyra të paparashikueshme dhe se ky rajon i Ballkanit Perëndimor është përballur me shumë probleme nga valët e të nxehtit, vërshimet, që janë dëshmi e qartë për nevojën për te marrë veprime shpejtë. Është e qartë se investimi për të trajtuar këto çështje është një prioritet i lartë. Ky vend duhet të investojë së paku 2.8 miliardë euro gjatë dekadës së ardhshme për të ruajtur komunat, ekonomitë nga ndikimet katastrofike të ndryshimeve klimatike. Klima dhe ndryshimet klimatike janë mundësi për t'u zhvilluar më mirë dhe për të krijuar punë më të vlefshme për njerëzit... Për të nxitur një tranzicion të gjelbër në Kosovë, për të avancuar konkurrueshmerinë ekonomike Kosova duhet të transformojë ekonominë e vet nga një ekonomi që mbështetet shumë në thëngjill në intensitetin më të lartë të karbonit në Evropë në një vend që bazohet krejtësisht në teknologjitë e gjelbra", tha ai.
Në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli derisa tha se ky raport shërben edhe si përkujtesë për ndryshimet që do të planifikohet në këtë drejtim, ka shtuar se Kosova aktualisht ka një intensitet të lartë të energjisë prej pothuajse katër herë më e madhe se mesatarja e BE-së.