Kosova drejt Evropianit të karatesë me synim medaljet e arta
Sport
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Kosova drejt Evropianit të karatesë me synim medaljet e arta
Isak-curri
16/05/2026 - 16:18
Linku u kopjua

Ekipi i Kosovës në karate po i zhvillon përgatitjet intensive para nisjes për në Kampionatin Evropian për seniorë që do të mbahet në Frankfurt të Gjermanisë, me ambicie më të mëdha se kurrë më parë.

Pas një viti të mbushur me suksese historike, përfshirë medalje botërore dhe evropiane, atmosfera në kamp është optimiste dhe synimet janë të qarta: rritja e numrit të medaljeve dhe kthimi me tituj kampionësh.

Pritjet nga emra elitar të karatesë si Islam Selmani, Fortesa Orana, Betim Maliqi e të tjerë janë jashtëzakonisht të mëdha

Përzgjedhësi i Kosovës, Isak Curri, tha për KosovaPress se objektivat e ekipit janë rritur pas rezultateve të jashtëzakonshme të arritura gjatë vitit të kaluar si në kampionate botërore ashtu edhe evropiane.

“Synimet tona janë çdo herë më të mëdha. Pas vitit të kaluar që ishim të suksesshëm me dy medalje dhe suksese të tjera, sot, këtë Evropian presim që ta rrisim suksesin dhe të kemi medalje më shumë”, tha fillimisht Curri.

Ai theksoi se prania e medalistëve botërorë dhe evropianë në ekip ka ndikuar pozitivisht në motivimin dhe besimin e karateistëve kosovarë.

“Jemi ekip ku në ekipin tonë kemi medalistë të nivelit botëror dhe evropian dhe kjo vetvetiu e ngrit atë moralin, e ngrit atë vullnetin për punë, për besim dhe për të gjitha. Kjo është diçka e mirë që edhe më parë kemi pasur medalistë, por na ka munguar një medalje finale, të cilën e ka arritur Islami në botëror, po edhe sukseset e kaluara janë varg i frymëzimit tonë dhe i besimit tonë që do të ngritemi dhe do të rritemi akoma më shumë”, shtoi Curri.

Karateisti nënkampion i botës, Islam Selmani u shpreh optimist për paraqitjen e Kosovës në Evropian, duke vlerësuar përgatitjet dhe atmosferën në kamp.

“Rezultate po presim të mira për shkak që jemi përgatitur tash e disa muaj për kampionatin Evropian, i cili edhe ky kamp na ka bërë, na ka ndihmuar shumë pasi i kemi ndërruar kundërshtarët edhe atmosfera është e mirë këtu e cila na bën që me qenë pak më të mirë në Evropian”, u shpreh Selmani.

Ndërkohë, kapitenia Fortesa Orana tha se objektivi i saj dhe i ekipit është titulli evropian, duke kujtuar edhe rrugëtimin e gjatë në karate.

“Në këtë Evropian po shpresojmë me arrit deri te medalja e artë, që ai është synimi kryesor edhe unë si kapitene. Kështu që mundësitë janë, edhe e kemi thyer këtë akullin e medaljeve. Po shpresoj tash të jemi një ekip që do të kthehemi me titull të kampionit Evropian... Jam që 20 vite në këtë karrierë edhe kam pasur shumë pritshmëri edhe në të njëjtën kohë Kam qenë ajo e para që i kam thyer akullat në karate, por shpresoj tash jam gati për një rezultat më të lartë, siç po e pretendoj me qenë kampione e Evropës”, deklaroi Orana.

Me ambicie të mëdha para Evropianit u paraqit edhe karateisti Betim Maliqi, i cili synon ta shndërrojë medaljen e bronztë të edicionit të kaluar në medalje të artë.

“Në këtë kampionat synimi im është për shkak se në kampionatin e kaluar kam qenë i treti edhe ka qenë medalje historike për shkak se është e treta në historinë e Kosovës. Ndërsa në këtë kampionat po synoj medaljen e artë edhe po shpresojmë që me përgatitjet që i kemi pas, kemi me arrit aty ku po duam... normalisht ne më së pari duam ta përfaqësojmë veten, ta bëjmë krenar familjen, veten, edhe përgatitjet që i kemi pasur. Por pas këtyre vjen edhe një shtet i cili na përkrah, federata, komiteti, e kështu me radhë”, tha Maliqi. 

Me një ekip të kompletuar me emra tashmë të dëshmuar në botën e karatesë, të gjithë me potencial për të arritur suksese, Kosova udhëton drejt Gjermanisë jo më si pjesëmarrëse, por si një forcë pretendente, e cila, siç u shpreh kapitenia, “tashmë shihet nga të gjithë si një Kosovë e fortë”.

Evropiani i karatesë zhvillohet nga data 19 deri më 24 maj 2026 në Frankfurt të Gjermani.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026