Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është deklaruar për përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve, përfshirë Bayraktar TB-2, për çka ka thënë se ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi vendin tonë.
Këtë deklarim KFOR-i e bëri përmes një komunikate për media një ditë pasi kryeministri Albin Kurti njoftoi se Kosova ka blerë dronin Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Sipas KFOR-it, hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale.
“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet po aty.
KFOR-i ka shprehur edhe mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas mandatit të tyre fillestar.
“Mbështesim FSK-në për operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme”.