Deputeti i PDK-së Hisen Berisha ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit nisjen e hetimeve ndaj Qeverisë Kurti për shkak, siç thuhet, dëmeve që po i bëhen ekonomisë dhe sigurisë sidomos në raport me SHBA, teksa si shembull konkret përmend kontratën për furnizimin me qymyr me kompani të lidhura me autorin e sulmit terrorist në Banjska, Milan Radojçiq.
Berisha në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria e kishte dhënë këtë kontratë për vetëm 20 euro, ndërkohë që çmimi i tregut ishte 50 euro për ton.
Berisha kërkon nga prokuroria të hetojë këtë kontratë dhe rrethanat që kanë çuar në lidhjen e saj me një çmim shumë më të ulët se çmimi i tregut.
Ai gjithashtu kërkon që prokuroria të shqyrtojë komunikimet ndërmjet zyrtarëve të qeverisë dhe personave të përfshirë në këtë kontratë, për të parë nëse ka pasur ndërhyrje apo lidhje të paligjshme, publikimin e të gjitha informacioneve dhe hetimeve lidhur me rastin dhe të veprojë me urgjencë për të parandaluar dëme të mëtejshme në ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.Ai ka bashkëngjitur në kërkesë “dokumente, kontrata dhe materiale të tjera relevante që tregojnë përfshirjen e kompanive dhe individëve të përfshirë në këtë skandal”, duke thënë se “dosja kryesore i dorëzohet prokurorisë.”