Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Parlamentit të Bavarisë, të kryesuar nga Josef Zellmeier.
Konjufca e njoftoi kryetarin e komisionit Josef Zellmeier me synimet dhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për sigurinë, shtetin e së drejtës dhe për fuqizimin e mëtejshëm të demokracisë, duke i quajtur këto një parakusht të domosdoshëm të zhvillimit ekonomik.
Pasi i falënderoi për vizitën e tyre, kryetari Konjufca shprehu mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e Gjermanisë, si në të shkuarën ashtu edhe aktualisht.
Ai potencoi se për lidhjen e ngushtë mes dy shteteve kontribut të madh ka edhe mërgata e Kosovës që jeton dhe punon në Gjermani, duke përfshirë edhe rajonin e Bavarisë, e që në këtë mënyrë ata i kanë sjellë edhe më afër dy vendet.Ai shprehu gatishmërinë për angazhim në drejtim të këtij bashkëpunimi dhe nevojën për tejkalimin e sfidave që dalin përpara.