Kosova nuk ka asnjë obligim për t’i dhënë një asociacion të komunave me shumicë serbe Serbisë pa marrë garanci se kjo e fundit nuk do ta përdorë këtë mekanizëm për të minuar shtetësinë e Republikës. Kështu deklaroi sot kryeparlamentari Glauk Konjufca, ku kritikoi bashkësinë ndërkombëtare se nuk po jep garanci të fuqishme, por vetëm fjalë goje.
Në një deklaratë për media pas shënimit të Ditës së Demokracisë, Konjufca tha se Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte instrument shtesë i Serbisë për goditje të mëtutjeshme të Kosovës.
Sipas tij, është e pakuptimtë të themelohet kjo bashkësi e komunave me shumicë serbe kur Serbia ka ndërtuar pothuajse 50 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën.
"Bashkësia ndërkombëtare nuk po jep garanci, ajo duhet të jep garanci të fuqishme dhe jo vetëm fjalë goje. Se për fjalë goje na thanë serbët do të marrin pjesë në zgjedhjet ne komunat e Veriut dhe nuk morën pjesë në zgjedhje. Një komunitet prej disa mijërash, nuk ka fuqi Bashkësia Ndërkombëtare ta detyrojë të përfshihet në procesin politik. Atëherë çfarë po kërkoni më shumë? Neve na kërkohen garanci të fuqishme. Cila ka qenë garancia? Garancia ka qenë marrëveshja e Ohrit, 'Serbia iu njeh defacto, e ndryshon sjelljen e vet, ju jeni dy shtete, funksioni si dy shtete, na e njeh flamurin, na i njeh simbolet, na i njeh dokumentet, na i njeh shkëmbimet tregtare, nuk ka pozicionim armiqësor', pastaj ne është lehtë ta bëjmë obligimin e 2013-ës, shumë lehtë është se ‘Serbia po ndryshon’. Por, nëse e kemi këtë Serbi që të kërcënon me ushtri, ku i ndërton 48 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovës, si t'ia japim një asociacion shtesë. Kjo është gabim”, tha Konjufca.
" Asociacioni do të ishte instrument shtesë i Serbisë për goditje të mëtutjeshme të Kosovës", tha ai.