Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë fjalimit të tij para Këshillit të Sigurimit, përmendi përpjekjet e institucioneve të Kosovës për normalizimin e raporteve me pjesën e pakicës së popullsisë si dhe luftën kundër strukturave ilegale të komunitetit serb në veri.
Ai tha se në rrugëtimin e Republikës së Kosovës për të ecur para, Serbia po paraqitet si një pengesë.
Ai i bëri thirrje Serbisë që të ballafaqohet me realitetin e vet e ta njohë Kosovën si shtet i pavarur sovran, duke mos e mbajtur gjithë shoqërinë e gjithë rajonin peng të një hegjemonie të tillë. Ai i bëri thirrje të ngjashme edhe shteteve të Kombeve të Bashkuara që ende nuk kanë pranuar Kosovën si një shtet të tillë.
“I bëj thirrje shteteve të mbetura anëtare të OKB-së, pa vonesa të mëtejshme, ta njohin Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran dhe të hapin rrugë për miqësi të reja dhe bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë. Çelësi i paqes dhe stabilitetit në Ballkan mbetet njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së dhe të NATO-s”.
“Kosova është tani një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, i cili ka arritur normalitet dhe funksionalitet, një standard i mjaftueshëm për largimin e UNMIK-ut. Siç është dëshmuar nga përfshirja jonë e fundit në Bordin e Paqes, i cili u themelua nga presidenti Trump dhe partnerë të tjerë, Kosova është e gatshme të kontribuojë në paqe dhe stabilitet edhe në pjesë të tjera të botës, si Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit për Gazën, e cila u mandatua nga kjo rezolutë e Këshillit 2803 në nëntor. Fokusi nuk duhet të jetë që Kombet e Bashkuara të jenë në Kosovë përmes UNMIK-ut, por që Kosova të pranohet në Kombet e Bashkuara”.
Raporti i Bashkëpunimit nënrajonal në Evropë (SRGs) nuk i ka paraqitur mjaftueshëm përpjekjet e Kosovës për stabilizim dhe integrim të pakicave në veri, sipas ministrit të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në mbledhje mori fjalën edhe përfaqësuesi Special dhe shefi i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Peter Due, i cili vlerësoi se shmangia e zgjedhjeve të reja është kyçe për të ruajtur fokusin institucional te qytetarët.
/KosovaPress