Konjufca: Mazhoranca s’ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së qeverisë
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme përmes dorëheqjes së qeverisë.
Ai theksoi se s’ka arsye që ekzekutivi të jep dorëheqje, derisa tha se ende s’ka pasur asnjë takim të rëndësishëm ndërmjet partive politike për të diskutuar se kur është koha më e përshtatshme për zgjedhje.
“Me sa kam njohuri deri tash nuk ka ndodhur asnjë takim i rëndësishëm i këtij niveli, pikërisht për këtë çështje që të vendoset dhe diskutohet se kur është koha më e përshtatshme që të shkohet në zgjedhje. Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkohet në zgjedhje, por nuk po arrijmë që kjo punë të bëhet. Nuk mendoj se është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodh përmes një dorëheqje të qeverisë, pasi s’ka arsye të jep dorëheqje qeveria. Qeveritë japin dorëheqje kur diçka nuk është duke funksionuar, ose ngec në procedura funksionimi i shtetit. Mazhoranca e ka shumicën në Kuvend, që mund të votojë projektligje dhe kështu me radhë”, tha ai.
Kryeparlamentari tha se kërkesa e tij për zgjedhje të reja është pasi Kuvendi e ka humbur kapacitetin e vet për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare, pasi opozita nuk po voton ato.
Këto komente Konjufca i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku mes tjerash tha se shumica parlamentare nuk duhet të pengojë themelimin e komisioneve hetimore.