Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën që po mbahet në nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, ka thënë se 12 qershori i vitit 1999 është dita e rikthimit të shpresës për popullin e Kosovës.
Konjufca tha se janë të panumërta viktimat shqiptare si rezultat i krimeve dhe keqtrajtimeve nga regjimet okupuese të Serbisë, duke shtuar se këto regjime kishin një synim të vetëm e që ishte shfarosja e një populli të tërë nga territori.
I pari i Kuvendit tha se duke festuar 12 qershorin është nevojshme të reflektohet mbi të kaluarën e vështire të popullit tonë, pasi sipas tij, kështu nuk harrohet e vërteta.
Konjufca gjithashtu shtoi se Dita e Çlirimit do të festohet si dita e fitores së drejtësisë mbi padrejtësinë dhe dita e fitores së humanizmit mbi fashizmin.