Disa nga linjat ajrore më të mëdha në Azi po rrisin çmimet e biletave të avionit, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme ka rritur ndjeshëm çmimet e naftës dhe ka detyruar udhëtarët të zgjedhin rrugë alternative udhëtimi.
Cathay Pacific, AirAsia dhe Thai Airways janë ndër transportuesit që kanë paralajmëruar rritje të çmimeve dhe tarifave shtesë për karburantin, pasi lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka shtyrë lart kostot e energjisë dhe ka kufizuar aksesin në rafineri, shkruan The Guardian, transporton KosovaPress.
Ndërkohë, AirAsia njoftoi se do të rrisë përkohësisht çmimet e biletave dhe tarifat e karburantit, duke theksuar se do të përshtatet me zhvillimet e tregut. Nga ana tjetër, Thai Airways paralajmëroi investitorët se çmimet e biletave mund të rriten nga 10% deri në 15%.
Edhe transportues të tjerë ndërkombëtarë si Qantas dhe Air New Zealand kanë rritur tarifat, ndërsa kjo e fundit njoftoi se do të anulojë mijëra fluturime nga 16 marsi deri më 3 maj, duke prekur rreth 44 mijë pasagjerë.Ekspertët paralajmërojnë se rezervimet e bëra në javët e ardhshme do të jenë më të shtrenjta dhe numri i fluturimeve është zvogëluar, gjë që ushtron presion shtesë mbi çmimet.
Profesori i transportit në University of Sydney, Rico Merkert, tha se udhëtarët që planifikojnë të fluturojnë në muajt e ardhshëm duhet të rezervojnë sa më shpejt për të shmangur rritje të çmimeve deri në 30%. Sipas tij, edhe nëse konflikti përfundon menjëherë, do të duhen rreth dy muaj që linjat ajrore të ndihen të sigurta për të ulur çmimet e rezervimeve paraprake.
"Nuk është se ata duan të bëjnë fitime të mëdha," tha Merkert. "Është mbijetesë e pastër për disa prej tyre."
"Ndoshta do të prisja dhe do të shihja për dy javët e ardhshme... nëse kjo do të jetë një luftë e zgjatur apo nëse ata mund të arrijnë një marrëveshje shumë shpejt."
Faqja e rezervimeve WebJet raportoi se australianët tashmë kanë ulur fluturimet me distanca të gjata, duke kaluar në destinacione vendase dhe të tjera aty pranë në rajonin e Azi-Paqësorit.