Kompania e specializuar në shërbimet e outsourcing “SPEEEX”, ka hapur sot objektin e ri.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë të ftuar, mes tyre edhe përfaqësues të kësaj kompanie nga vendet e ndryshme të botës.
“Unë nuk e shoh veten si pronar të SPEEEX-it, por e shoh veten si koleg i juaj, si bashkëpunëtor me ju, po e shoh veten si pjesë elementare të SPEEEX... Unë mendoj që e kemi kohën e artë, rinia jonë është e artë, jemi inteligjentë, kemi kapacitete t’i tregojmë Evropës të mos them gjithë botës se çfarë potenciali ne shqiptarët kemi”, tha ai.
Përfaqësuesja e SPEEEX, Francoise Clemens u shpreh jashtëzakonisht e lumtur me arritjen e kësaj kompanie, e cila synon të promovojë zhvillimin ekonomik të rajonit.
Kryeministri Albin Kurti, në pamundësi të ishte prezent në ceremoni, përmes një video-mesazhi, ka thënë se fuqia e re punëtore e motivuar dhe e talentuar, ka shndërruar Kosovën në një pozitë tejet atraktive për industrinë.
“Kombinimi i kostos më të ulët efektive me nivelin e njëjtë të cilësisë, përparësia krahasuese që ka Kosova në sektorin të cilin e ka SPEEEX dhe që ne e quajmë proces kontraktimi i bizneseve të mundësuar nga teknologjia e informacionit. Fuqia e re punëtore e motivuar dhe e talentuar, demokracia, sundimi i ligjit stabiliteti institucional, shpenzimet e ulëta dhe pozita të mira gjeografike tashme e kanë kthyer Kosovën në pozitën shumë atraktiv për industrinë. Gjatë vizitës time në SHBA, vizitova disa brende të njohura. Sfidë numër një e tyre ishte fuqia punëtore. Kosova ka popullatën ndër më të rejat në Evropë... Besoj se jemi në rrugën e duhur për t’u bërë Estonia e ardhshme e Evropës sonë”, tha Kurti.
“Ju keni shumë entuziazëm dhe energji pozitive duke e bërë SPEEEX një sukses ndërkombëtar dhe duke i dhënë një imazh shumë të mira republikës sonë. Republika e Kosovës ka potencial të jashtëzakonshme sa i përket rinisë e cila ka shumë ide kreative dhe shumë inovacion. Qeveria Kurti është e gatshme gjithmonë që t'i mbështesë iniciativat e të rinjve në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë sepse vendi ynë duhet të ofrojë një stabilitet për të rinjtë tanë, për popullin tonë... Po punojmë me shumë përkushtim për lehtësimin e kushteve e të bërit biznes. Është e rëndësishme që Kosova të shfrytëzojë potencialet e saj me sa më shumë efikasitet dhe sa më shumë mundësi t’i ofrojmë biznesit në vendin tonë”, u shpreh ajo.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se me punën e saj të palodhshme kompania SPEEEX është e vendosur sot në të gjitha hartat botërore.
Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Prishtinë Thomas Kolly u shpreh i lumtur që sheh një energji të madhe pozitive te rinia kosovare.
“Fikreti është personaliteti më i njohur i Zvicrës këtu në Kosovë... Është e mahnitshme të shihen këto dy sisteme të vlerave që keni pjesën e zhvillimit, rininë, fleksibilitetin. Ju ofroni vlerat më të mira. Ajo çfarë më ka lënë përshtypje dhe më mahnitur pozitivisht është energjia e Fikretit që po investoni në trajnimin e njerëzve tuaj”, tha ai.
Që nga themelimi i saj në vitin 2008, SPEEEX ka arritur të krijojë hapësira dhe kushte të punës në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare duke iu mundësuar shumë të rinjve kosovarë të zhvillojnë një karrierë të bujshme me perspektivë afatgjate. Po ashtu, SPEEEX kryeson si një ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë.