(I plotësuar) Me katër vota për, tri kundër dy abstenime Komisioni për Buxhet i ka dhënë përkrahje amandamentit për dyfishim të mbështetjes financiare për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë. Ky amandament u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës.
Për votuan deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, deputetët e PDK-së, Kujtim Gashi e Mërgim Lushtaku dhe deputeti i AAK-së, Duat Haradinaj.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri tha se propozimi i kësaj partie është në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Ai shtoi se dyfishimi i buxhetit mundëson mbështetje të dinjitetshme nga Kosova për ish-krerët e UÇK-së.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrë parasysh që procesi gjyqësor në Hagë është drejt fundit, 8 milionë eurot e ndara janë të mjaftueshme.
Megjithatë, ai shprehu gatishmërinë për mjete shtesë në rast nevoje dhe sipas tij kjo mund të shqyrtohet gjatë rishikimit të buxhetit.
Deputeti i Vetëvendosje, Faton Geci u shpreh kundër dyfishimit të mbështetjes për katërshen e UÇK-së, duke thënë se ata nuk janë themelues të shtetit.
“Ata nuk janë themelues të shtetit siç tha deputeti Tahiri, meqenëse është në përfundim nuk konsideroj se është e arsyeshme për me vazhdua për mbrojtje të tyre”, tha ai.
Përkrahje për këtë amandament kërkoi edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili e quajti si infuzion të fundit nga shtetit për katërshen e UÇK-së.
“Jemi në fund të atij procesi edhe natyrisht mirënjohje e pafund për të gjithë ata që ishin në shesh aty duke filluar nga kryeministri që dha përkrahje, presidentes, gjithkush kush e njeh atë histori të Tribunaleve e dinë që ka kosto të madhe të papërballuesnme sa i përket ekipeve mbrojtëse duke e ditur që është në tre muajt e fundit në këtë kuptim kisha kërkuar që të votojmë për dhe t’ua japim infuzionin e fundit kisha menduar me bindjen që do të jenë në Kosovë të pafajshëm”, tha ai.