Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka pasur sot kuorum për vendimmarrje për të rekomanduar në seancë të Kuvendit përzgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas shumicës së anëtarëve të komisionit, paneli përzgjedhës i BQK-së nuk ka përmbushur kërkesat e ligjit të BQK-së për konkursin për guvernator, andaj është theksuar nevoja që i tërë procesi të rikthehet në pikën zero. Megjithatë, as për këtë propozim, disa anëtarë të komisionit nuk kanë votuar dhe rrjedhimisht nuk ka pasur vendimmarrje.
Kryetari i komisionit, Armend Muja ka thënë se ky proces nuk i plotëson kushtet formale-juridike që katër kandidatët e përzgjedhur nga paneli i BQK-së t’i dërgohen Kuvendit që njëri prej tyre të zgjidhet guvernator.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka kritikuar bordin e BQK-së për procesin e përzgjedhjes së guvernatorit. Mirëpo, këto pretendime i ka mohuar kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja.
Kandidatët që janë propozuar nga paneli përzgjedhës i BQK-së për guvernator janë: Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu, Shkendije Himaj./KosovaPress/