Komandanti i trupave amerikane në Kosovë: Jemi të gatshëm kundër dhunës
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Komandanti i trupave paqeruajtëse amerikane në Kosovë tha se forcat e vendit të tij janë të pajisura dhe të gatshme për të parandaluar çdo dhunë në veriun e Kosovës. NATO ka përforcuar praninë e saj në Kosovë me 1,000 trupa të tjerë pas dhunës që shpërtheu shtatorin e kaluar, gjatë së cilës një polic u vra në një shkëmbim zjarri midis policisë së Kosovës dhe personave të armatosur që hynë nga Serbia.

Disa nga ushtarët amerikanë janë të vendosur në kampin ‘Nothing Hill’ afër qytetit të Leposaviqit, në veri të Kosovës dhe patrullojnë rrugët që lidhin Kosovën me Serbinë.

“Ne jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje dhe jemi të përgatitur mirë, të trajnuar mirë dhe të pajisur për të reaguar ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë këtu. Unë jam i sigurt për këtë”, thotë Koloneli Ross Walker, Komandant i trupave amerikane në Kosovë.

Ushtarët amerikanë parkojnë kamionët e tyre të bardhë, që nuk janë të blinduar, afër kufirit me Serbinë dhe më pas ecin pranë hekurave metalike që deri vonë mbanin tabela që sinjalizonin vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se çelësi për këtë është dialogu paqësor. Edhe pse jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje, dëshira jonë është që t’i bëjmë gjithmonë gjërat përmes një dialogu kundër çdo lloj dhune”, thotë Koloneli amerikan, Ross Walker.

“Ne vijmë këtu mjaft shpesh. Nuk mund të flas për ndonjë hollësi për atë që kemi, ose nuk kemi parë, por nëse vërejmë diçka, informacioni u kalohet organeve të rendit vendas”, thotë Togeri i ushtrisë amerikane në Kosovë, Mcveigh.

NATO është përforcuar në Kosovë me 1,000 trupa shtesë pas dhunës që shpërtheu shtatorin e kaluar, gjatë së cilës një polic u vra në një shkëmbim zjarri midis policisë së Kosovës dhe personave të armatosur që hynë nga Serbia.

Diplomatët perëndimorë dhe disa analistë paralajmërojnë se tensionet më të fundit rreth vendimit të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb mund të nxisin më tej tensionet në veri. /voa/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024