Për prezantimin e vlerës së koeficientit në vlerë prej 105 euro nga qeveria, ka reaguar edhe Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës. Sipas kësaj sindikate një koeficient me vlerë të tillë është i pa pranueshëm.
Kryetari i kësaj sindikate, Muharrem Beka në një intervistë për KosovaPress thekson se vlera e koeficientit i ka zhgënjyer të gjithë zjarrfikësit.
Beka tha se janë ndër kategoritë më të diskriminuara në raport me shërbimet tjera emergjente.
“Personalisht kam marrë nga gjithë kryetarët e shoqatave në nivel vendi thirrje telefonike, të cilat kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, pasi jam i thirrur për t’i përfaqësuar kërkesat e tyre, janë jashtëzakonisht të indinjuar. Ne jemi ndër kategoritë më të ulëta në raport me shërbimet tjera emergjente”, tha Beka.
“Ne së paku kemi prit që do të jetë 120, duke u bazuar në pagën minimale që ka qenë, që koeficienti më i ulët është dy, duke llogaritur ashtu, pritjet kanë qenë të jetë 120 dhe ky është zhgënjim. Duhet analizuar sepse kjo nuk qon askund”, tha mes tjerash Beka.
Vlera e koeficientit përmes të cilit llogariten pagat e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik është caktuar të jetë 105 euro për vitin 2023.
Komandanti i Batalionit me koeficient 6.5 do të ketë vlerën e pagës 682 euro, zëvendësi i tij me koeficient 6.3 do të ketë pagën 661 euro e 50 cent.
Udhëheqësi i togut të zjarrfikësve ka koeficientin 6 ndërsa paga e tij do të jetë 630 euro, zëvendësi i tij me koeficient 5.9 do të ketë pagën 619 euro.