Koci: Kjo është gjysmë drejtësi, duhet të dalin para drejtësisë kokat e sulmit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Koci: Kjo është gjysmë drejtësi, duhet të dalin para drejtësisë kokat e sulmit
koci foto1234
24/04/2026 - 16:53
Linku u kopjua

Arianit Koci, avokati i policit kosovar të vrarë gjatë sulmit terrorist në Banjskë, Afrim Bunjakut, tha se me vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Prishtinës për të dënuar Blagoje Spasojeviqi dhe Vladimir Toliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Makimoviq me 30 vjet heqje lirie, u arrit vetëm gjysma e drejtësisë.

Pjesa tjetër, që e kompleton atë, sipas tij, do të arrihet kur të gjykohen e të dënohen edhe organizatorët dhe të dyshuarit tjerë në agresionin që u bë ndaj shtetit të Kosovës, më 24 shtator 2023.

“Derisa para drejtësisë të dalin kokat apo organizatorët e këtij sulmi terrorist, kjo është gjysmë drejtësi. Natyrisht, unë jam i kënaqur me vendimin e gjykatës, por jam edhe më i kënaqur që të akuzuarve ja u kemi mundësua si sistem të gjitha të drejtat procedurale edhe në fund tash e kanë marrë dënimin çfarë familja e Afrim Bunjakut edhe e ka parashikua. Dhe vazhdojmë tutje po prapë po e përsëris, duhet para drejtësisë të vihen edhe organizatorët e këtij sulmi terrorist”, tha ai.

Koci, megjithatë, tha se vendimi i sotëm për Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq është satisfaksion për familjen e rreshterit, Afrim Bunjaku i cili mbeti i vrarë gjatë sulmit të terroristëve në Banjskë.

“Është e vërtetë që janë të paarritshëm për drejtësinë, por këta të dyshuar do t'i mbesin barrë Republikës së Serbisë. Ata kurrë nuk do të hyjnë në Bashkimin Evropian pa i gjykua ose pa ia dorëzua këta persona drejtësisë së Kosovës. Kështu që vazhdojmë tutje, është shumë keq që ata nuk janë gjykua, por edhe kjo është prapë më mirë se asnjë lloj gjykimi. Duhem me përsërit, familjes së Afrim Bunjakut asnjë vendim nuk ja kthen Afrimin, por sidoqoftë kjo është një satisfaksion edhe për familjen por edhe për të gjithë neve mbrojtësit por edhe për popullin e Kosovës”, tha ai.

Mbrojtësi i familjes Bunjaku deklaroi se do ta analizojë arsyetimin e gjykatës në lidhje me vendimin për Dushan Maksimoviq, për të vendosur më pas nëse do ta apelojë atë.

“Unë do ta shikoj njëherë arsyetimin e gjykatës dhe pasi të lexoj arsyetimin e gjykatës do të vendosi a do të apeloj apo jo. Në përgjithësi jam i kënaqur me vendimin për dy të parët, për të tretin jam tash në fazë kur do ta analizoj këtë vendim gjykate”, tha ai.

Gjykata Themelore të Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim dënues me burgim  të përjetshëm ndaj  dy të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq ndërsa të tretin, Dushan  Maksimoviqin e ndëshkoi me 30 vite heqje lirie. Të gjithë ishin të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçnait, i cili u krye më 24 shtator. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Spasojeviq dhe Toliq nuk ishin prezent në gjykatore, ndërsa, Dushan Maksimoviq ishte i pranishëm aty, kur u shpall vendimi ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij në krim. /B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026