Koalicioni për Familjen përmbyll fushatën zgjedhore
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
4 ditë më parë
Linku u kopjua
Koalicioni për Familjen ka mbajtur takimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit në të cilin u tha se ky koalicion nuk do të lejojë “të kalojnë ligje që cenojnë familjen”.
Eman Rrahmani nga ky koalicion tha se të gjitha subjektet politike po merren nëse do ta kalojë pragun ky koalicion, sepse sipas tij “kanë hallin për ta kaluar Kodin Civil”.
“Ne nuk do të lejojmë asnjëherë që në vendin tonë, në kuvendin e republikës, në kuvendin e popullit të vijnë ligje që cenojnë familjen. Ne i kemi rrugët e kjarta, ne jemi për martesa mes burrit dhe gruas, ata janë për martesa të burrave me burra dhe grave me grave”, tha Rrahmani.
Ai bëri thirrje për mobilizim në mënyrë që, sipas tij, ligjet e tilla që cenojnë familjen “as mos të kenë guxim t’i afrojnë tek Kuvendi”.
Kandidati për deputet nga ky koalicion, Ferid Agani tha se për ta nuk është asgjë më e rëndësishme se mirëqenie e fëmijëve dhe rinisë.
“Kosova i tha ‘Jo’ rrënimit të familjes tradicionale shqiptare. Kosova i tha ‘Po’ rrugëtimit euroatlantik të shtetit dhe shoqërisë tonë mbi vlerat e traditës sonë mijëvjeçare, kombëtare, fetare të shtrira njëra me tjetrën si shpirti në trupin e njeriut”, tha Agani.