Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim mbajti sot konferencën e fundit për media, në mbyllje të mandatit të saj si kryediplomate në Shqipëri.
Ajo evidentoi progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit, rritjen e bashkëpunimit ekonomik, forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe fushën e sigurisë kibernetike.
Duke folur për reformën në Drejtësi, ajo e konsideroi si një prej reformave më të vështira, por që po jep rezultate. Sipas Kim, reforma në drejtësi ishte elementi që i dha mundësi Shqipërisë për të çelur negociatat me Bashkimin Evropian.
“Shqipëria ka ndërmarrë reforma të vështira, sidomos në drejtësi që i dha vendit tuaj mundësinë që të hapte negociatat për anëtarësim në BE. E kam thënë shpesh se reforma në drejtësi po jep rezultate. Mos ndaloni, vazhdoni të ecni përpara dhe hap pas hap derisa të arrini qëllimin tuaj. SHBA do të jenë me ju në çdo hap të rrugës. Ne nuk do të lëkundemi kurrë në aspiratat e popullit shqiptar për të zënë vendin që i takon në tryezën evropiane”, tha Kim.
Duke folur për sulmet Kibernetike, me të cilat u përball, ambasadorja Kim solli në vëmendje ndihmën që SHBA i dha vendit tonë.
“Sulmet kibernetike të Iranit që filluan në 2022, treguan kërcënime të reja më të cilat duhet të përballemi së bashku. SHBA i ka akorduar 50 milionë Dollarë Shqipërisë për të forcuar sigurinë kibernetike, kjo është paketa më e mëdha që kemi dhënë për këtë fushë ndonjë vendi, përveç Ukrainës”, theksoi Kim.
“Lidhjet e biznesit po rriten mes 2 vendeve tona. Ka ende vend për përparim, por përparimi po ndodh. Në Tetor nënshkruam memorandiumin e bashkëpunimit. Këto investime do t’i mundësojnë Shqipërisë që të bëhet një qendër për shpërndarjen e energjisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në Qershor 2022 nënshkruam memorandiumin e bashkëpunimit për telekomunikacionin. Investimet e huaja të SHBA-së arritën një nivel të ri prej 250 mln dollarësh në 2022 që është më shumë se dyfishi i asaj para 2022. Tregtia jonë dypalëshe është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Çështja e Reformës në Drejtësi, çrrënjosja e korrupsionit nuk është thjeshtë çështje morale, por është që të kemi Shqipërinë një aleat më të fortë.”, theksoi Kim.
E pyetur nga gazetarët e pranishëm për marrëdhënien me Berishën, të shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Kim u shpreh se SHBA-të shohin gjithnjë nga e ardhmja.
Kryediplomatja e SHBA në Tiranë, po ashtu kujtoi se në detyrën e re që pritet të marri pranë Deparatamentit Amerikan të Shtetit, do të ketë në përgjegjësi edhe Shqipërinë.
“Për çfarë e keni fjalën për punën time të ardhshme në DASH. Në fakt në pozicionin tim të ardhshëm do të kem përgjegjësi për gjithë Evropën dhe për Shqipërinë, mbase jo të gjithë do të jenë të kënaqur për këtë, por unë jam. E shpreha edhe më herët jam prekur dhe kam ndryshuar nga përvoja ime këtu, nëse kthehem në Shqipëri ose jo, Shqipëria do të jetë gjithmonë me mua”, vijoi Kim.
“Është e nevojshme të vijohet për të mbajtur këto reforma siç është çrrënjosja e korrupsionit, lehtësimi i procedurave për të drejtën e pronësisë”
Ambasadorja e SHBA, Kim tha se largohet nga Shqipëria me respekt për tokën Shqiptare, shkruan Atsh.