Kievi dhe Praga kanë arritur marrëveshje për të prodhuar së bashku pushkë dhe municione brenda Ukrainës, kanë bërë të ditur kryeministrat e dy vendeve të martën, pas diskutimeve që kanë zhvilluar në Republikën Çeke.
Ukraina ka punuar në jetësim të industrisë së re të armëve, për të kufizuar varësinë ndaj ndihmës ushtarake të Perëndimit, prej kur ka nisur pushtimi rus në tokën e saj më 2022.
“Marrëveshja e dytë është që kompania çeke Colt CZ Group të prodhojë pushkë në Ukrainë”, ka thënë ai në një konferencë të përbashkët me homologun e tij çek, Petr Fiala.
“Ukraina synon dhe ka potencial të bëhet arkë armësh për botën e lirë dhe ne jemi mirënjohës ndaj Republikës Çeke për mbështetjen në këtë drejtim”, ka thënë Shmygal.
Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Çernohova ka thënë se një pjesë e prodhimit do të kryhet në Republikën Çeke ndërsa Ukraina do të jetë përgjegjëse për zhvillim.
Ajo ka thënë se në bisedimet e së martës janë përmendur edhe trajnimet e ushtarëve ukrainas në tokën çeke.
Republika Çeke ka ofruar mbështetje të madhe humanitare dhe ushtarake për Ukrainën, pas nisjes së luftës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/