Rusia lëshoi dhjetëra raketa në qytete anembanë Ukrainës, thanë zyrtarët, derisa raportohet për të paktën një person të vdekur.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se pati disa shpërthime në qytet, duke shkaktuar dëme dhe të paktën një të vdekur.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia mund të nisë më shumë sulme për t'i bërë ukrainasit "të festojnë Vitin e Ri në errësirë".
Disa zyrtarë të lartë ukrainas kanë aluduar për sulmet në postimet e mediave sociale, duke thënë se Rusia nuk do të ketë sukses të prishë festimet e tyre.
Në Kiev, njerëzit nxituan drejt strehimoreve derisa u dëgjuan sirenat e sulmit ajror, shkruan BBC, përcjell KosovaPress
Punonjësit e urgjencës u dërguan në tri lagje të goditura nga shpërthimet. Mbrojtja ajrore u aktivizua në rajone në të gjithë vendin.
"Perëndimi gënjeu për paqen. Ai po përgatitej për agresion... dhe tani ata po përdorin në mënyrë cinike Ukrainën dhe popullin e saj për të dobësuar dhe përçarë Rusinë.", tha Putin.
Ukraina dhe Perëndimi hedhin poshtë pretendimet e Rusisë për fillimin e agresionit.