Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Dy partitë e mëdha, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të kenë në garën e 18 dhjetorit nga 4 kandidatë, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor janë edhe subjektet tjera politike.
Aleksandër Jabllanoviq, i cili njëherësh është kryetar i partisë Partija Kosovskih Srba, është certifikuar si kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit.
Iniciativa Qytetare Mitrovica do të marrë pjesë në zgjedhjet për Mitrovicë të Veriut me kandidatin e certifikuar Betim Osmani, ndërsa Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak me kandidatin, Aleksandar Arsenijoviq.
Para mbledhjes, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pas përfundimit të procesit të aplikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve, i cili është përmbyllur më 25 nëntor, KQZ-ja ka komunikuar me institucionet e ndryshme shtetërore për të verifikuar nëse kandidatët e paraqitur janë në pajtueshmëri me nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Ky nen, tregon se kush mund të jetë kandidat i certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, përveç disa rasteve, pra: nëse është gjykatës apo prokuror; pjestar i FSK-së, doganës, i AKI-së, përfaqësues diplomatik apo pjesëtar i PZAP-it.