Personat që vërtetohet se kanë cenuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 janarit 2025 mund të dënohen nga 3 deri në 5 vjet. Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike të cilët theksojnë se falsifikimi i rezultatit zgjedhor përbën vepër të rëndë penale, raporton KosovaPress.
Sipas tyre manipulimi i votave e ka cenuar integritetin zgjedhor, prandaj kërkojnë edhe rinumërim të plotë.
Ai thekson se falsifikimi i rezultateve zgjedhore është vepër penale e sanksionuar qartë me ligj, ku dënimi parashihet deri në tre vjet burg, ndërsa në rastet e rënda apo të kualifikuara mund të arrijë deri në pesë vjet burg.
“Në raport me falsifikimin e rezultatit zgjedhor, përcakton dënueshmërinë prej tre vite dhe forma e kualifikuar e saj është pesë vite. Definitivisht se kjo çfarë ka ndodhur është një prej skandaleve më të mëdha në kuptim të procesit të integritetit të zgjedhjeve që pas zgjedhjeve të vitit 2000 e 2010. Dhe në rastin konkret definitivisht se duhet të ketë veprim të prokurorit. Do të thotë nuk mund të lidhemi në numra të caktuar. Modus operandi apo mënyra e veprimit është e njëjta tek të gjitha partitë politike ku gjinden këto, këto gabime”,deklaroi ai.
“Prokuroria duhet të veprojë. Fatkeqësia në Kosovë është se prokuroria nuk reagon në mënyrë proaktive, mirëpo vetëm kur të merr vesh, do të thotë krejt Kosova se ka ndodhur diçka, atëherë aktivizohet edhe prokuroria. Dhe definitivisht se prokuroria duhet të aktivizohet në këtë drejtim për të, ëh, për të hetuar, do të thotë si komisionerët, si vëzhguesit, si kandidatët nëse kanë pasur gisht në këtë drejtim e të gjitha çështjet e tjera për t'i hetuar në kuptim të ekzistimit apo mos ekzistimit të përgjegjësisë penale. Laura Pula, do të thotë prokurore, është koordinatore kombëtare lidhur me procesin e zgjedhjeve dhe që definitivisht ajo duhet të ketë guxim profesional që nuk e kemi parë deri më tani dhe të dalë në konferencë për media dhe të tregojë se cilat janë gjetjet, cilat janë situatat dhe çfarë do të bëjë prokurori i shtetit me këtë situate”, tha ai.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës deklaron se manipulimi i votave është dukuri e papranueshme dhe cenon rëndë integritetin zgjedhor.
“Absolutisht është një dukuri e kundërligjshme, e papranueshme. Kjo për faktin se mund ta lëndojë dhe mund ta cenojë rëndë integritetin zgjedhor në vend, ose më mirë të themi integritetin e zgjedhjeve në vend, për shkak se Kosova siç e dini shquhet si një vend që organizon procese zgjedhore mjaft të qeta, kredibile, ku rezultatet pranohen nga ana e subjekteve politike. Megjithatë, ka një kohë të gjatë që pasi të përfundojë dita e votimit fillojnë disa probleme sa i përket numërimit të votave, qoftë të partive apo qoftë edhe të kandidatëve për deputetë”, u shpreh ai.
Bugaqku ka kërkuar rinumërim të plotë të votave, duke u bazuar në parregullsitë e evidentuara gjatë procesit aktual të verifikimit.
Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për KosovaPress se varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera.
Gjatë ditës së djeshme, Prokurori Themelore e Prizrenit ka reaguar duke theksuar se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet që ndërlidhen me procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore në këtë komunë.
Pas rinumërimit të votave në 10 komuna, Prizreni del komuna me mospërputhjet më të mëdha të votave. Manipulimi i votës ka ndodhur kryesisht brenda listës zgjedhore të një partie. Rinumërim të 100% të votave pati edhe Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug, ndërsa 10% e votave u rinumëruan edhe në 28 komuna të tjera si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Deri në orën 11:00 të ditës së hënë janë rinumëruar 559 vendvotime nga gjithsej 914 vendvotime që janë në rinumërim. /B.Ibishi/