Në kuadër të kampanjës “16 Ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, Ministria e Drejtësisë ka lansuar sot “Programin kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave”, i cili synon krijimin e një mjedisi më të sigurt për të mbijetuarat e dhunës.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se institucionet po punojnë në përmirësimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna, dhe se krahas rehabilitimit psiko-social synohet krijimi i një mjedisi të sigurt për gra dhe vajza.
Ai theksoi se numri i grave qe kërkojnë ndihmë juridike është në rritje. Ndër të tjera, Kurti tha se dhuna kërkon edhe trajtim të përkushtuar politik, për çka u zotua se do të vazhdojë angazhimin e tij të pakushtëzuar në këtë drejtim.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ministria ajo që drejton për herë të parë është angazhuar në vazhdimësi për adresimin e dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore.
Ndërsa, konsulentja vendore e Këshillit të Evropës, Adelina Badivuku Toplica tha se “Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, është një iniciativë e ndërtuar mbi parimet e ndërhyrjes strategjike dhe rehabilitimit psiko-social për ata që kanë ushtruar dhunë.
“Programi niset nga fakti se dhuna ndaj grave nuk duhet të konsiderohet vetëm si një sërë incidentesh të izoluara, por si një pjesë e një sistemi më të gjerë që është i ndërthurur me besimet dhe strukturat e shoqërisë”, tha Badivuku-Toplica. /KosovaPress