Kërkohet drejtësi për 116 civilët e vrarë nga serbët në fshatin Studime të Vushtrrisë
Lexohet për: 6 min.
279267000_321175133433312_6521092771846626154_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Me rastin e 23 vjetorit të masakrës serbe, janë përkujtuar të 166 civilët e paarmatosur dhe të pafajshëm të vrarë nga forcat serbe në fshatin Studime të Vushtrrisë. E gjitha u tha se ndodhi brena një orë e gjysmë, derisa u kërkua që të dalin para drejtësisë ata që vranë gratë, pleqtë e fëmijët e këtij fshati.

Të pranishëm në akademinë përkujtimore ishin shumë familjarë, dëshmitarë të kësaj masakre, përfaqësues të institucioneve, deputet e drejtues të komunës së Vushtrrisë.

Me këtë rast, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Vushtrria ka ende pikëllim.

"Vushtrria ka vuajtur dhe humbur shumë gjatë luftës, ka pësuar shumë dhimbje, ende ka shumë pikëllim, duke nisur nga masakrimet në Reznik , vrasjen në Konovik, plagosjet e rënda te Grabanicëve, maltretimet në burgun e Smerkovnicës, masakrimin e familjes së Selatin Gërxhaliut e deri te masakra e Studimës të cilën e kujtojmë sot. Kush e ka përkujtuar luftën këtu ju kujtohet se ka prilli i vitit 1999, qytetarët e Vushtrrisë po zhvendoseshin sepse po dëboheshin...forcat serbe nisen djegien e fshatrave dhe erdhën deri në Studime të Epërme. Me arritjen, këto forca kriminale të Serbisë nisen terrorin përmes shkatërrimit të mjeteve të udhëtimit e dikur në mbrëmje filluar me vrasjen e masakrimet të shqiptarëve civil. U vranë 116 civil, përfshirë fëmijë e gra”, tha ai.

Kurti foli edhe për rrëfimin e dëshmitarin Idriz Popova, i cili ka treguar se serbët kanë tentuar të kthehen dhe t’i marrin kufomat por fal pjesëtarëve të UÇK-së, ata nuk kanë mundur. Ai shtoi

“Ajo që rëndon edhe më tepër tregon se sot 23 vjet pas luftës ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dike për këtë masakër, asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale, vetëm heshtje. Në anën tjetër luftëtarët e UÇK-së, mbrojtëse janë arrestuar, burgosur , dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i, e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale, por ja ku ndodhemi 23 vjet pas luftës pa asnjë të dënuar për masakrën e Studimës  ”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një fjalë rasti përkujtoi të gjithë martirët qe kanë rënë për liri.

"Përkundër që vitet po kalojnë dhembja po shkon duke u rritur mbi të gjitha martirët ende nuk e kanë gjetur drejtësinë që e meritojnë. Padyshim që përkundër përpjekjeve të shumta, nuk kemi arritur që si institucione ta kryejmë obligimin njerëzor që e kemi ndaj tyre dhe më shumë se sa emra njerëzit, emrat që janë këtu para meje, janë njerëz që qëndrojnë në ndërgjegjen ton si popull e si komb, e mbi të gjitha si klasë politike që kemi obligim që pareshtur të punojmë për të sjellur para drejtësisë të gjithë ata kriminel që e kanë bërë këtë masakër por edhe shumë kriminel të masakrave të tjera anë e kënd Kosovës. E ironia është se sot në bankën e të akuzuarve qëndrojnë çlirimtarët e vendit tonë, qëndrojnë themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bartësit e projektit të lirisë dhe shtetit të Kosovës, por kushdo qoftë dhe kudo qoftë që mund të ketë një njëjti të tillë që ka çfarëdo lloj dyshimi se çka ka ndodhur në Kosovë në vitin 1998-99, le të vjen këtu në Studime, sepse këtu, ashtu sikurse në shumë lokalitete, fshatra e lagje të Kosovës ku janë bërë masakra çnjerëzore se kush ka bërë krime lufte në Kosovë", tha ai.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, e cilësoi këtë masakër si njërën nga masakrat më të mëdha që bënë forcat serbe në Kosovë.

"Jemi mbledhur këtu me rastin e 23 vjetorit te masakrës është një ndër masakrat më të mëdha që e shkaktoi gjakatari serbë, e shkaktoi atëherë kur pësoi lufte në betejat ballë për ballë dhe si hakmarrje iu kthyer popullatës së pambrojtur duke mos nuk kurseu as fëmijët, pleqtë e gratë. Kjo listë e gjatë e emrave në këtë pjesë këtu ku jemi shënon themelimin e shtetit të Kosovës, shënon lirinë e Kosovës, pra liria e Kosovës është e ujitur me gjakun e dëshmoreve dhe martireve që ranë për mos të vdekur kurrë", tha ai.

Ndërsa ka falënderuar edhe institucionet e shtetit që në ditë feste gjetën kohë që t’i bashkëngjiten kësaj akademie përkujtimore.

Sipas tij, në këtë fshat janë vrarë 116 civil, përfshirë fëmijë e gra dhe e gjithë kjo ndodhi për një orë e gjysmë. Ai ka shtuar se 23 vite pas kësaj masakre, nuk ka ende asnjë vendim nga gjykata që e dënon këtë masakër.

Në emër të familjareve ka folur Qëndresa Gërxhaliu, ku tha se 23 vite më parë u vranë familjarët tanë më të dashur e për të mbijetuarit kjo natë mbetet ankthi më i tmerrshëm.

"Ende asnjë kryerës i kësaj masakre nuk u dënua e ata që luftuar për të na mbrojtur po gjykohen në Gjykatën Speciale e kjo nuk është drejtësi. Ne familjarët e kësaj masakre kërkojmë nga institucionet shtetërore që të punojnë më shumë rreth çështjes së dënimit dhe gjetjes së atyre që dhanë urdhër dhe kryen këtë gjenocid, e vetëm atëherë ne si familje do të jemi të qetë", tha ajo.

Në fund janë bërë edhe homazhe pran lapidarit të martirëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024