Njohësit e sigurisë nuk presin që kërkesa e presidentit Aleksandër Vuçiq për dërgimin e 1 mijë trupave në Kosovë nuk çon peshë dhe se është bërë nga ai me qëllim të rritjes së tensioneve në veri të vendit. CEO i Geopost, Gynen Venhari thotë për KosovaPress se as që mund të pritej ndonjë hap më konstruktiv nga Vuçiqi.
Në një intervistë me shkrim për KosovaPress, Venhari thotë se në këtë pikë është Bashkimi Evropian ai që duhet të jetë më i kujdesshëm dhe të pavarësohet nga ndikimi rus në mënyrë që presidenti Vuçiq të mos jetë më i llastuari i Brukselit.Sipas tij, edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për që largimin e barrikadave të bandave serbe në veri t’ua lërë serbëve është qasja e duhur.
“Qeveria e Kosovës, duke qenë në partneritet me aleatët perëndimorë, ka bërë mirë që ka vendosur nga KFOR që t’i largojë barrikadat. Qeveria besoj edhe mund të ndërhynte edhe vet, përkatësisht Policia e Kosovës, por duke e ditur se problemi i veriut është paksa i ndjeshëm, besoj se këtë e ka bërë edhe me kërkesë të aleatëve”, thekson Venhari.
Venhari thotë se ata që po i mbajnë rrugët e bllokuara janë nën presionin e Vuçiqit dhe të sanksionuarit të ShBA-së, Milan Radojçiq.
Sipas tij, në këto barrikada gjatë natës qëndrojnë shumë pak njerëz.
Policia e Kosovës sot ka ndaluar dje në pikën kufitare në Jarinje ish-zyrtarin policor, ish-pjesëtar i MUP-it, i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç.
Njohësi i sigurisë thotë se ndaj Pantiç, i cili akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues është e rëndësishme që të ndiqen të gjitha procedurat adekuate ligjore, dhe se pak rëndësi ka se ku ky i fundit mbahet.
Ndërkohë që një polic i Kosovës është lënduar nga persona të maskuar, pjesë e grupeve kriminale serbe, Venhari thekson punën e mirë që ky institucion i Policisë po bën vazhdimit, derisa thekson se së fundi ajo po përballet me metoda terroriste.
“Policia e Kosovës po tregon që është shumë e kujdesshme. Sipas mundësisë në terren po përpiqen që ta luftojnë krimin, por në kohën e fundi tata po sfidohen edhe me metoda terroriste. Kriminelët në krye me Radoiçiqin tashmë po tregojnë se janë të gatshëm që edhe me terror të sfidojnë vendimet legale të Republikës së Kosovës. Prandaj, lirisht mund t’i quajmë terroristë. Por, kjo është çështje tjetër sfiduese për Policinë e Kosovës. Sidoqoftë, Policia e Kosovës ka dhënë shembull të shkëlqyeshëm, që në këtë krizë, të përpiqet që sado kudo t’i ruajë qytetarët serbë që janë viktimë e grupeve kriminalo-terroriste, të cilët, siç thamë po e sfidojnë edhe rendin tonë kushtetues”, përfundon ai.
Ai ka thënë se kërkesën drejtuar KFOR-it do ta bëjnë më 15 dhjetor, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.
Mediat serbe kanë zbardhur një pjesë të letrës që qeveria serbe do t’i dërgojë KFOR-it për të lejuar ushtarët e saj të vendosen në Kosovës, sipas shkresës së rezolutës aktuale 1244.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke iu ofruar siguri dhe rend të gjithëve pa dallim.
Kujtojmë se barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.
Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.