Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi sot se nevojiten vite në mënyrë që mjekësia e Kosovës të jetë në nivelin e duhur, e që të arrijë standardet e Evropës.
Në një konferencë për media pas takimit që pati me eurodeputetin Lukas Mandl, Latifi tha se sistemi i kujdesit shëndetësor ka nevojë për një partneritet solid me institucionet evropiane.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është ofruesi kryesor i shërbimeve shëndetësore në vend... Përderisa ka pasur njëfarë progresi për 23 vjet, që nga përfundimi i luftës ende ka nevoja të mëdha të kujdesit shëndetësor të paplotësuar. Pabarazia në shëndetësi, infrastruktura spitalore, mungesa e avancimit teknik, ekspertizës klinike dhe disa çështje legjislative janë disa prej nevojave. Si pasojë e këtyre faktorëve, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tanë po kërkojnë kujdes shëndetësor jashtë vendit... Ne kemi bërë analizë, kemi krijuar strategji afatmesme dhe afatgjatë të bazuara në dëshmi dhe nevojat klinike të Republikës së Kosovës që adreson të gjitha këto çështje. Ne kemi vizion të qartë se si do të duket sistemi shëndetësor pas 5-10 vjetët të ardhshme”, ka thënë Latifi.
Latifi tha se kanë filluar me sinjalizimin e qendrës për hulumtime shkencore.
Deputeti i Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl tha se Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë është e fokusuar në fushën e shëndetësisë.
Sipas tij, fusha e kujdesit nënë-fëmijë është edhe në planet e ministrit Latifi e që siç tha ai, kjo mundëson arritjen e progresit në këtë fushë edhe në Kosovë.
Ai tha se falë popullsisë së re që ka Kosova mund të bëhet një “Silicon Valley” e Evropës.