Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi ka thënë se në periudhën 2008-2022 (14 vjet) tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit 124 milionë e 803 mijë e 403 euro.
Kelmendi ka shkruar në Facebook se asnjëherë më parë, nuk është zhvilluar një analizë, vlerësim apo reflektim lidhur me furnizimin me tekste si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e procedurave të ndjekura.
Sipas tij, këtë mënyrë të furnizimit me tekste shkollore e kanë ndalur.
“Këtë vit, nëse do të vazhdonim me të njëjtën praktikë është parallogaritur shpenzimi i 8,029,717 € për blerjen e teksteve shkollore nga klasa I deri V, pra vlera e parashikuar (4,316,885 €) në ligjin për buxhet pothuajse të dyfishohet. Këtë mënyrë të furnizimit me tekste shkollore e kemi ndalur”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Kelmendit:
Në periudhën 2008-2022 (14 vite) tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit 124,803,403.00 €. Asnjëherë më parë, nuk është zhvilluar një analizë, vlerësim apo reflektim lidhur me furnizimin me tekste si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e procedurave të ndjekura. Procesi më shumë ka qenë i fokusuar në biznes e transaksione shitblerjesh sesa rritje të cilësisë. Janë rritur vetëm çmimet e teksteve.
Buxheti i planifikuar me ligjin e buxhetit vit pas viti është tejkaluar për së paku dyfishin e vlerës së tij. Ish-ministrat e Arsimit, ish-ministrat e Financave, ish-kryeministrat që sot janë në opozitë dhe po e ngrisin zërin për prishjen e kësaj praktike abuzive kanë qenë vetë nënshkruesit e vendimeve për blerjet e teksteve shkollore dhe rritjen e shpenzimeve sipas infografikes më poshtë. Ndoshta nuk kanë harruar!
Këtë vit, nëse do të vazhdonim me të njëjtën praktikë është parallogaritur shpenzimi i 8,029,717 € për blerjen e teksteve shkollore nga klasa I deri V, pra vlera e parashikuar (4,316,885 €) në ligjin për buxhet pothuajse të dyfishohet. Këtë mënyrë të furnizimit me tekste shkollore e kemi ndalur!
Pra, është e mundur të ndalet abuzimi, të jemi transparent me buxhetin e shtetit dhe të furnizohen nxënësit me tekste shkollore ndërkohë që nuk ndjejmë keqardhje për ata që kanë qenë të përfshirë në këto praktika.