Deputetja e Parlamentit Britanik dhe kryetare për punë të jashtme, Alicia Kearns ka deklaruar se Kosovës si partner i vendeve të perëndimit i kërkuan të jetë demokratike, ta ndjek rrugën e anëtarësimit në BE dhe të shkojnë drejt anëtarësimit në NATO, gjë që po e bënë, por tash ndëshkohet. Kurse, Serbia mbetet pa asnjë ndëshkim.
Kearns ka thënë se disa pjesë janë sërish në rrezik brenda Ballkanit , pasi shihen ambiciet cinike të miqve të Millosheviqit, ëndrrat për Serbinë e Madhe dhe urrejtjen në zemrat e liderëve brenda atij rajoni.
Kearns shtoi se Qeveria e Britanisë së Madhe ka informata se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë me ambulanca.
“Kjo është arsyeja pse gjendja e sigurisë është kaq e rëndë. Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i nxjerrim në pah milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, nga ushtarët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t'i marrë ato, dhënia e lejeve zgjatë shumë. Në momentin që ata marrin leje ambulanca tashmë ka shkuar në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët. Do të prek shkurtimisht politikat tona të eksportit ndaj Serbisë. Unë jam shumë e shqetësuar për faktin se ne po i shesim municione të vogla Serbisë. Duke qenë se policia kundër terrorizmit atje ka kryer sulme dhe ka rrëmbyer tre policë kosovarë, si e dimë ne se asgjë që i kemi shitur Serbisë nuk përdoret në atë kontekst? Unë kërkoj që t’i vihet një fre të gjitha shitjeve e eksportit në Serbi. I bëj thirrje Qeverisë që ta bëjë të qartë se Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë sovranitetit territorial dhe demokracisë së Kosovës. Për ta bërë këtë, ne duhet të zgjerojmë mandatin e KFOR-it për të siguruar një qasje më proaktive për të luftuar kontrabandën e armëve dhe milicitë në veri të Kosovës. Ne duhet të sigurojmë drejtësi dhe të ndërmarrim veprimet e nevojshme për të operuar një politikë kuptimplote të diplomacisë parandaluese”, tha ajo.