KDI: Progresi në luftën kundër korrupsionit i atribuohet edhe Qeverisë Kurti
Lexohet për: 4 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua
Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2021. Në bazë të vlerësimit të përvjetshëm të Transparency International, Kosova pas tri vitesh stagnimi në fushën anti-korrupsion, sivjet ka rikthyer tri pikë dhe renditet me 39 sosh. Ky zhvillim pozitiv, po i atribuohet zhvillimeve demokratike në proceset zgjedhore, por edhe të Qeverisë Kurti me iniciativat ligjore.
Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se progresi është shënuar edhe punën dhjetëmujore të ekzekutivit, konkretisht në miratimin e strategjisë për sundimin e ligjit dhe inicimin e procesit të vetingut, që sipas tij rritë efikasitetin e gjyqësorit.
“Kemi një vlerësim pozitiv për zhvillime demokratike dhe transferin paqësor të pushtetit. Gjithashtu kemi vlerësuar se në një shtet me demokraci të tillë të konsoliduar elektorale patjetër se duhet të krijoheshin kushtet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dukuri negative në Kosovë. Këtë po e mbështesim me zhvillimet e fundit të cilat kanë ndodhur gjatë qeverisjes dhjetë mujore të qeverisë aktuale. Kemi pa se ka kaluar strategjia për sundim të ligjit, e cila buron nga një rishikim shumëvjeçar i sistemit të drejtësisë. Qeveria është duke punuar në mënyrë që të zbatohet kjo strategji, kemi pa fillimin e procesit të vetingut, tash është duke u përkthyer në një seri projektligjesh dhe iniciativash ligjore për të rritur efikasitetin e gjyqësorit dhe besimin e publikut në institucionet gjyqësore. Duke marrë gjithë këto zhvillime dhe përkthejmë në metodologjinë që e ka bërë Transparacy International del se Kosova ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit”, tha ai.
Kelmendi në një konferencë për medie, përmendi edhe rastet konkrete ku është shënuar progresi në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
“Po vërehet një efikasitet në punën e prokurorisë. Kemi pa disa raste të mëdha të korrupsionit që janë iniciuar në këto 12 muajt e fundit. Kemi rastin Brezovica, rastin e subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë, kemi edhe rastin e thesarit të shtetit, trasnferi 2 milionësh. Kemi vlerësuar se ka ngritje të efikasitetit. Nuk jemi shumë të kënaqur, por është një ngritje e mirë. Nëse vazhdon me këtë trend, Kosova mund të bëhet lideri në rajon në fushën e krimit dhe korrupsionit”, shtoi ai.
Megjithatë, Kelmendi tha se progresi i Kosovës duhet të vazhdojë edhe më tutje në veçanti në zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë, masat parandaluese dhe ngritjen e efikasitetit dhe transparencës në prokurimin publik. Ai të nevojshme e sheh edhe plotësim-ndryshimin e ligjit për përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të bordeve publike.
“Përkundër progresit të lehtë ka ende shumë punë për tu bërë. Kosova ende mbetet nën mesataren globale prej 43 pikësh. Mos të flasim për mesataren e cila është 66 pikë, në të cilën ne aspirojmë”, deklaroi ai.
Në vlerësimin e sivjetshëm, Kosova ka shënuar ngritje në tabelën e klasifikimit për 17 pozita dhe tash ndodhet në pozitën e 87 nga pozita e 104 që ndodhej vitin e kaluar.
Krahas Kosovës edhe dy vendet e rajonit kanë shënuar progres gjatë vitit 2021. Maqedonia e Veriut me katër pikë dhe Mali i Zi me një pikë. Kthim prapa ka shënuar Shqipëria ka me një pikë më pak (-1) pikë. Ndërsa, Serbia dhe Bosnja Hercegovina nuk kanë shënuar asnjë ndryshim nga pozitat e kaluara.