Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka reaguar pas kallëzimeve penale ndaj tij dhe kryetarit të Çairit, lidhur me tubimin e 11 gushtit, ku për vizitë atje qëndroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kasami këto i ka quajtur veprime komuniste e me qëllim frikësimi.
Në një reagim në Facebook, Kasami ka shkruar se koha e frikësimit të shqiptarëve dhe arrestimit të tyre ka vdekur.
Kallëzime penale të martën janë ngritur ndaj Bilall Kasamit dhe kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Sipas Ministrisë së Panëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut kjo është bërë për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së Kurtit.
Ai ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi” në Çair, si dhe në një përurim në Tetovë.
Pas vizitës së tij ka pasur shumë reagime, ndër të cilat edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite, për shkak të ikonografisë shqiptare të përdorur gjatë manifestimeve.