Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë është mbajtur ceremonia e nderimit të kampiones së Evropës në atletikë, Luiza Gega. Ajo e veshur me fanellën kuq e zi ka parakaluar me makinë së bashku me ministren e Sportit dhe trajnerin e saj, ku është pritur nga dhjetëra persona. Pas ceremonisë, është bërë e ditur se kampionia evropiane do të marrë gradën kolonel.
Ajo në konferencë për media mes emocionesh u shpreh se në pistën e Munihut, misioni i saj ishte që të tregonte se edhe Shqipëria mund t’ia dalë.
“Sot ndihem më e emocionuar se kurrë, në fakt vendosa të vij pikërisht me ngjyrat kuq e zi sepse ndjehem më krenare se kurrë. Ndoshta, jo për atë që arrita por që doja t’i tregoja Evropës që edhe ne mundemi. Ndoshta vijmë nga një vend i vogël por që me punë mund t’ia dalim të jemi pse jo edhe më mirë se ata. Dua të nis me disa falënderime sepse pa ato nuk do të isha dot kurrë sot, sigurisht familja ime që ka sakrifikuar vërtetë shumë. Duke u munduar t’i bëjë krenar, sot besoj që ia kam arritur. Trajnerin tim që ndoshta nuk do të isha këtu dhe në majat më të larta të Evropës”, është shprehur ajo e emocionuar.
“Nuk na ndodhë shpesh që të lëm prapa Gjermaninë, para ca kohësh dikush na thoshte që jemi të dytët pas Gjermanisë. Sot këtu në këtë sallë Gjermania është e dyta pas Shqipërisë. Dhe kur vjen fjala tek gara dhe tek adrenalina që gara prodhon për njerëzit, për komunitetet, për kombet, për gjithë popullsinë e botës, shteti ka kohë që e ka pranuar që e ka humbur rivalitetin me sportin....Në fakt, nëse e shohim të gjithë rrugëtimin dhe vrapimin e Luizës deri kur ka zbritur në pistë për ato më pak se 10 minuta që tani më i përkasin historisë, ato janë hapa të pafundëm, sfilitje, gjak, lot dhe djersë. Dhe me këto katër fjalë të kthyera në një mënyrë të jetuari, Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë letra të reja fisnikërie”, është shprehur Rama.
Ai i ka dhuruar Gegës kordonin e madh me Yllin për Mirënjohje Publike.
“Do të kemi për herë të parë edhe grada honorifike për sportistët. Këto grada do të jenë jo vetëm si tituj, por dhe për shpërblimin financiar. Është një hap shumë domethënës, sepse vlerëson punën dhe talentin e sportistëve, si Luiza. E cila pas këtij ligji do të gëzojë gradën kolonel. Luiza njësoj si të gjithë sportistët e tjerë elitar përfiton nga Ministria e Arsimit dhe Sportit shpërblimin përkatës për çdo medalje, për çdo garë të saj dhe për çdo rekord që thyen”, ka deklaruar Kushi.
Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj tha se Luiza do të jetë xhevahiri i klubit të sportit “Tirana”. Sipas tij, sporti është një flamur i ngritur më lartë dhe i valëvitur më shumë për vendin.
Luiza Gega ka fituar medaljen e artë në Kampionatin e Atletikës të mbajtur në Munih. Ajo është shpallur kampione në 3 mijë metra me pengesa për më pak se 10 minuta. /Sh.Pajaziti