Pas paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për masa kundër Kosovës, ish-ambasadori i Holandës, Robert Bosch vlerëson se situata është serioze. Ai këshillon ekzekutivin që t’i marrë parasysh kërkesat e aleatëve, edhe pse vlerëson se ato nuk janë qind për qind të justifikuara. Për tensionet që po i krijon Serbia si dhe mosndëshkimin e saj nga BE, diplomati holandez flet në një intervistë për KosovaPress.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vendet anëtare i kanë përgatitur, sipas tyre, për shkak se nuk janë ndërmarrë hapat e kërkuar për të ulur tensionet në veri të vendit.
Ndër masat e përmendura nga BE është pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosmiratimin e projekteve nga fondi për investim në Ballkanin Perëndimor dhe pezullimin e financimit të programeve të BE-së.
Kjo është bërë e ditur gjatë kësaj jave nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman, i cili ka theksuar se masat janë të kthyeshme nëse ndërmerren hapa drejt shtensionimit të situatës.
Në fillim të muajit qershor, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i kanë prezantuar tri kërkesa kryeministrit Kurti: Qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog.
Bosch thekson se zgjedhjet në katër komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur.
Prej atëherë para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Ata janë liruar vetëm pas një presioni nga ndërkombëtarët, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.
Diplomati nga Holanda thotë se duhet të ketë rend dhe ligj edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Bosch vlerëson se trupat paqeruajtëse duhet të vazhdojnë të qëndrojnë atje.
Kosova dhe Serbia janë dakorduar për marrëveshje bazë më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa janë pajtuar edhe për aneksin e saj më 18 mars në Ohër.
Ndërsa, lidhur me Asociacionin, Bosch shprehet se Kosova duhet ta formojë atë në përputhje me kushtetutën e vendit dhe “nëse serbët nuk janë të lumtur, është problem i tyre”.
Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.
E lidhur me kërkesat për shtensionim të situatës, shefi i ekzekutivit ka shprehur gatishmërinë për uljen e numrit të policëve në ndërtesat komunale në veri, por duke theksuar se kjo bëhet në proporcion me vendosjen e rendit në atë pjesë.
Në këtë mënyrë, sipas tij, do të hapet edhe rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.