Joshua rikthehet nga rrëzimi dhe mposht Kristian Prengën me nokaut në raundin e dytë
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Joshua rikthehet nga rrëzimi dhe mposht Kristian Prengën me nokaut në raundin e dytë
fghfgh
26/07/2026 - 08:04
Linku u kopjua

Kristian Prenga ishte shumë pranë një surprize të madhe ndaj Anthony Joshua-s, por ish-kampioni i botës arriti të rikthehej dhe ta mbyllte përballjen me nokaut teknik në raundin e dytë, në duelin kryesor të mbrëmjes së boksit në Xhedah të Arabisë Saudite.

Prenga e nisi meçin në mënyrë mbresëlënëse, duke hyrë në arenë nën tingujt e këngës "Kur ka ra kushtrimi në Kosovë", ndërsa atmosfera u bë edhe më emocionuese gjatë intonimit të himnit kombëtar shqiptar para mijëra të pranishmëve.

Që në sekondat e para të ndeshjes, boksieri nga Mirdita e befasoi Joshua-n me një uppercut të fuqishëm që e rrëzoi në tapet. Britaniku u ngrit, por gjatë pjesës së mbetur të raundit të parë dukej i lëkundur dhe nën presion të vazhdueshëm nga Prenga, i cili krijoi përshtypjen se kishte kontrollin e plotë të duelit. Joshua u shpëtua nga fundi i raundit, pasi gongu i dha kohë të rikuperohej.

Në raundin e dytë, Joshua ndryshoi plotësisht qasjen. Ai filloi të kontrollonte më mirë distancën me grushtin e majtë dhe goditjet e tij të djathta nisën të gjenin objektivin. Ndërkohë, Prenga humbi ritmin dhe iniciativën që kishte ndërtuar në fillim të sfidës.

Rreth 40 sekonda para përfundimit të raundit të dytë, Joshua lëshoi një seri goditjesh të fuqishme që e rrëzuan sërish Prengën. Boksieri shqiptar nuk arriti të ngrihej brenda numërimit të gjyqtarit, duke bërë që përballja të përfundonte me fitore me nokaut teknik për Anthony Joshua.

Pas ndeshjes, Joshua shfrytëzoi intervistën e parë për të vlerësuar paraqitjen e Kristian Prengës. Ai e cilësoi shqiptarin një boksier të fuqishëm dhe u shpreh i bindur se e pret një e ardhme e mirë në ring. Më pas, britaniku i dërgoi edhe një mesazh rivalit të tij të madh, Tyson Fury, duke lënë të kuptohet se synon duele të mëdha në vazhdim të karrierës.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026