Brenda katër mureve të shtëpisë arrin të dëgjojë vetëm hapat e saj të ngadaltë. E vetme zgjohet, njësoj e pret edhe terrin e natës.
Tash e tetë vjet, shoqëri i bën vetëm një shkop druri për të cilin mbahet për të kryer nevojat e saj.
Mërzia, vetmia, skamja e lodhja nga mosha e kanë dërmuar Naile Çitakun nga Bajqina e Podujevës.
Vjetët që jetoi nuk i dinë saktë, por për më shumë se tetë dekada për të nuk u kujdes askush.
“Fëmijë jo, nëna ka vdek, motrat-një e kam në Prishtinë nuk e shoh me sy kurrë me vjet e vjet. Një nip e kam, ata ka me e shky në tona anët, ai edhe vet sëmurë, gruan sëmurë. Nuk e kam parë më sy, nuk e di kur e kam parë. Gjithkush telashet e veta, nuk kam tjetër kënd, asnjë. Baba ka shkuar, nëna ka shkuar, axhallarët kanë shkuar, disa halla që kanë qenë kanë shkuar. Veç unë kam mbet si pusajk. Njeri sa ish gjallë po u dashke me jetuar. Donë me hëngër, me pi. Ke qejf me pa dikë, e mban mall gjithkund, pa dalë kurrkund”, rrëfen ajo për KosovaPress.
Në po të njëjtin vend ku jeton tani, ajo kishte ardhur si 19 vjeçare. Shtëpia në të cilën po kalon ditët e pleqërisë, vështirë po ngrohet ditëve të ftohta të dimrit. Skutat i ka mbuluar myku, e vendi kundërmon nga era.
E moshuara nga fshati Bajqinë nuk gëzoi asnjëherë epitetin e “nënës”. Edhe sot ëndërron të shoh dhomat e mbushura plot, por në realitet pothuajse asnjëherë nuk është vet e dyta.
“Ai (Zoti) kish ditë me i falë e me i qu edhe fëmijët, por nuk më kishin këqyr as fëmijët. Nuk po e këqyrin kërkon tash. Por, po i them kaherë vetës ‘elhamdulilah’ hala e kom trurin, po shoh, po njoh, po merrna vesh, nuk jam bo krejt ku duhet me shkuar aty... Në këtë oborr mall e kam me pa një njeri ditën, gjithkush me punët e veta. A është gjallë apo ka vdek, është punë e tyre që iu bjen mend kujt që jam apo nuk jam. Kur t’iu bije në mend, ndoshta tri ditë rri këtu e vdekur. Të gjejnë të vdekur, të gjejnë të ftohtë, atëherë nëse donë hajde, nëse donë jo. As nuk të ngoje, as nuk të shoh”, tregon ajo për KosovaPress.
Derisa vetminë mundohet ta kalojë duke ecur rreth shtëpisë, frikësohet që do të rrëzohet e nuk do e sheh askush.
“Ruhem fort, kur të dal te shkallët mos po rrëzohem. Me bo me ra këtu, hundë e buzë, nuk mundem me u kap më. Po ruhem, fort ruhem. Shkuan vjetët, meta pa asnjë, tash vallahen nuk idhnohem, se nuk më ka faj askush. Kish ditë me mi fal edhe mu, hallku po i kanë të vetit. Pse me ardh me më këqyr mua që nuk më ka asgjë”, shprehet e moshuara nga Llapi.
“A naj gjarpër, a naj iriq, a diçka. Me kosit nuk ish bo kurgjo, por as që i them. Vallah kanë mundësi me më ndihmua diçka”, rrëfen nënë Nailja.
Përkujdesje nuk ka as nga institucionet për çka Nailja tregon se nuk është vizituar nga askush.
Armend Shala nga Kryqi i Kuq thotë se që nga koha e pandemisë, kanë identifikuar rreth një mijë persona që jetojnë në skamje e të vetëm.
“Prej kur ka filluar projekti, kemi identifikuar diku rreth një mijë persona të cilët ne i ndihmojmë si Kryq i Kuq. Procesi i identifikimit të tyre ka qenë përmes degëve. I kemi identifikuar ata dhe kemi shkuar për të biseduar së pari me personat e vetmuar dhe kemi parë se çka është nevoja e tyre. Për shkak se nuk kemi dashur të qasemi në atë formën që t’iu dërgojmë ndonjë ndihmë apo pako që atyre nuk iu hyn në funksion. Mirëpo i kemi identifikuar nevojat e tyre se çfarë kanë pasur nevojë”, deklaron ai.
Megjithatë, shteti nuk ka as edhe një informacion për këto raste.
“Numrin e të moshuarve që jetojnë të vetmuar nuk e posedojmë, kurse persona të moshuar pa përkujdesje familjare e që janë në përkujdesje institucionale në Shtëpinë për të Moshuar pa Përkujdesje Familjare dhe në katër shtëpitë me bazë në komunitet (Skenderaj, Istog, Graqanicë dhe N. Berd) janë 115 të moshuar”, thuhet në përgjigjen e Musa Demirit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“Institucionet shtetërore kryesisht duhet të ngritin edhe grupet e punëtorëve social. Tani për tani kemi një numër shumë të vogël të punëtorëve social nëpër komuna, e mos të flasim edhe për ekipet mobile të cilat do të duhej të përkujdeseshin në terren. Ekzistojnë baza legjislative është mirë, është edhe Ligji për Ndërmarrjet Sociale që janë ndërmarrje publiko-private ku këto ndërmarrje janë formë të shoqatave por edhe të financuara nga shteti, të cilat do të mund të merrnin barrën e një përkujdesi të tillë”, deklaron ai për KosovaPress.
Derisa shteti të funksionojë për këtë kategori, Nailja e shumë të moshuar të tjerë po jetojnë me frikën se do të vdesin dhe nuk i shoh askush.