Sot mbushen 27 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit Mensur Zyberaj, i lindur më 7 korrik 1965 në Drenaj të Anadrinit.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, i ndjekur “për veprimtari armiqësore ”Mensur Zyberaj” është regjistruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë studimeve, duke kaluar shtigjeve kah dituria dhe liria, ka zgjeruar veprimtarinë dhe rrethin e shokëve. Fakulteti, studimet dhe veprimtaria patriotike e ka lidhur ideali i bashkimit kombëtar dhe kështu Mensuri është lidhur edhe me: Lahi Ibrahimajn, Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nuri Behxhetin, Nait Hasanin, prof. Muhamet Malësorin dhe prof. Ukshin Hotin dhe në Prishtinë është faktorizuar së bashku me Feim Gashin e Muhamet Malësorin në organizimin e rezistencës së armatosur për çka e frymëzonte veçanërisht prof. Ukshin Hoti, “Promethe i Shtetësisë së Kosovës”.
Rënia e dëshmorit Luan Haradinaj më 6 maj të vitit 1997 në “Qafën E Mullarit”, Mensurin e gjeti në Shqiponjë, ndërsa rënia e mësuesit Halit Geci në Llaushë, në Skënderaj. Së bashku me Bedrush Gashin, Feim Gashin, Haxhi Hotin dhe Sakip Bellaqën. Në Likoc marrin detyra për të vepruar në sektorin e logjistikës i cili kalonte nëpër Has. Kishte mbështetje nga i vëllaj Osman Zyberaj i njohur si “Baca i Vogël” e nga fqiu Isuf Sherif Gashi, “Baca i Madh” – dy shtylla në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 26 prill të vitit 1998, në fshatin Drenaj ka dalë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe fshati është shndërruar në kazermë, ndërsa me urdhërin e Shtabit të Përgjithshëm është themeluar Shtabi Operativ Lokal, i cili shumë shpejt ka avancuar në nivelin rajonal të Anadrinit me stafin komplet dhe planin operativ për shtrirje. Punën e shtabit e ka drejtuar Mensur Zyberaj me ndihmën e vëllezërve Gashi; Bedrushit dhe Feimit. Me konstituimin e shtabit Operativ Rajonal, në ballë ka dalë Xhemë Gashi me: Gani Paçarizin, Selajdin Mullabazin, Selim Krasniqin, Isuf Gashin, Bedrush Gashin dhe Mensur Zyberajn. Pas aksionit të 26 prillit 1998, ndërmjet Krushës së Vogël e Piranës, më 12 maj kanë shpërthyer luftimet e para frontale ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore serbe në kodrinat pranë fshatrave: Franjakë, Bardhatin, Drenaj e Drinas.Pas thyerjes së forcave serbe në Gardhisht, policia ka kurthyer “Pritën e Përudhës”, ndërmjet fshatrave: Fortesë e Xërxë në të cilën Mensurit i
janë përjetësuar: Përparim Thaçi i Landavicës, Sakip Bellaqa i Burimit të Epërm dhe Feim Gashi i Drenajt e është plagosur rëndë Islam Gashi, por Mensuri ka qëndruar i pathyshëm dhe ka vazhduar luftën, e cila ka qenë e shtrirë nëpër fshatrat e Anadrinit. Më 6 qershor, Mensur Zyberaj është gjetur në luftimet e Drinasit kurse më 18 – 19 qershor në Bokat e Kromnikut.
Më 12 dhjetor, ai është rreshtuar në “Eshalonin e Mujë Krasniqit” dhe me luftime nëpër dëborë e stuhi ka arritur edhe një herë në Kosovë, por tash pa dyzetë shokë e pa dhëndrin Isaj Muharrem Morina nga Franjaka e Anadrinit.
Më 26, 27 e 28 maj të vitit 1999, Anadrini rrethohet përsëri pasi forcat e mëdha serbe kanë ndërmarrë “krehjen me këmbësori” prej “Rrihjeve” të Rahavecit në drejtim të “Hamoceve”, “Pisjakut”, “Bërnajakës”, “Rrapishteve”, “Izbishtit” e kah “Lugu i Qëndresës”, ndërmjet fshatrave: Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Zaçisht, Apterrush, Reti, Reti e Ulët dhe Qëndresë (ish – Randubravë) dhe kështu më 28 maj kah ora ll, 30, janë ballafaquar forcat serbe me luftëtarët e lirisë dhe luftimet kanë zgjatur deri në shkatërrimin total të forcave të Milintijeviqit. Në fushën e nderit të altarit të lirisë në kodrat dhe lugjet e Mileskës kanë rënë: Habib Gashi, Kurtish e Nazmi Hasani, Ismajl Gashi, Bedri Berisha i Valljakës, Manush Berisha, Agron Bytyçi dhe komandant “Pesqinshi” – Mensur Zyberaj i Drenajt të Rahavecit. Por, në këtë betejë duke bërë rezistencë e sulme të parreshtura mbi forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe bri “Lugjeve të Mileskës” janë plagosur rëndë edhe Rexhep Krasniqi, Selim Gashi e Isa Gashi.
Forcat serbe, pjesa e mbetur, është dëbuar në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë kurse luftëtarët e Adem Jasharit pozicionohen në aksin e përmendur rrugor te “Ura e Piranës”, ku edhe kishte filluar lufta në fshatrat e Anadrinit më 26 prill të vitit 1998.
Rivarrimi i dëshmorit Mensur Zyberaj u bë më 30 qershor 1999 në Drenaj të Rahovecit pranë dëshmorëve: Bedrush e Feim Gashi, Tafil Zyberaj e viktimave të luftës, të cilëve i është bashkuar edhe Isuf Berisha, i ekzekutuar në Burgun e Dubravës./KosovaPress