Jepen detaje nga takimet e Bislimit në Bruksel
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Jepen detaje nga takimet e Bislimit në Bruksel
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Zyra e kryeministrit njofton se në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e zhvilluara në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të procesit të dialogut. 

Sipas njoftimit thuhet se në takimin bilateral me Bashkimin Evropian dhe emisarin Miroslav Lajçak ky i fundit e dënoi fuqishëm sulmin e fundit në kanalin e Ibër Lepencit, duke shprehur mbështetjen e plotë për Kosovën. 

“U diskutua mbi marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, ku dhe u arrit dakordimi mbi termat e referencës të grupit punues, përmes së cilës Kosova nuk do të përfaqësohet më nga UNMIK-u. Temë e trajtuar në kornizën e dialogut ishte edhe rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin Implementues të Ohrit”, thuhet në njoftim.

Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu se Kosova ka qenë gjithmonë konstruktive, ka ofruar në vazhdimësi komentet dhe propozimet e saj dhe ka shfaqur gatishmërinë për ecjen përpara.

“Theksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes dhe zbatimit në tërësi të saj. Nga ana tjetër shtoi se Serbia vazhdon të mos e pranojë të njëjtën dhe ta mohojë atë duke mos bërë asnjë hap drejt fillimit të zbatimit të marrëveshjes. Në vijim, u trajtuan tema të tjera ndër të cilat edhe liria e lëvizjes, IBM, regjistrimi i fakteve të gjendjes civile në institucionet e Republikës së Kosovës, shërbimet noteriale, energjia, zbatimi i marrëveshjes për targat, harmonizimi i certifikatave veterinare”, thuhet tutje.

Poashtu thuhet se emisari Lajçak mirëpriti vendimin e qeverisë për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile për serbët e Kosovës. 

Ndërkohë në takimin trilateral në nivel të kryenegociatorëve, thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti qëndrimin konstruktiv të Kosovës në ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Implementimit.

“Përgjatë takimit, ai ngriti edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku së fundmi Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

https://kosovapress.com/kosova-dhe-serbia-pajtohen-per-zbatim-te-plote-te-deklarates-per-personat-e-zhdukur

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025