Në nderim të Betejës së Anadrinit të 12 majit 1998, sonte në Dejnë është hapur edicioni i 23-të i festivalit kombëtar të folklorit "Anadrinia jehon" si pjesë e manifestimit përkujtimor e kulturor “Java e dëshmorëve” në komunën e Rahovecit. Kryetari Smajl Latifi ka thënë se festivali folklorik treditor “Anadrinia jehon” mbledh dashamirë të artit e kulturës popullore si pjesë e festave të Komunës së Rahovecit, ku pjesëmarrja e artistëve nga shumë vise të shqiptarisë dhe mërgata, përbën thelbin e suksesit të kësaj riviste kombëtare.
“Në këtë skenë kanë defiluar shumë artdashës dhe dashamirësia me të cilën janë pritur nga publiku i kësaj ane, na ka detyruar të jemi më të përkushtuar në mbarëvajtjen e këtij festivali. Besojmë dhe shpresojmë që mbështetja institucionale do të shtohet, sepse tashmë ky festival nuk është vetëm i fshatit Dejnë dhe vetëm i Komunës së Rahovecit, ky është festival kombëtar”, ka shkruar kryetari Latifi në një postim në Facebook.