Qeveria e Japonisë ka dhuruar donacion pajisje mjekësore me vlerë prej 1 milion euro për spitalet e disa komunave të Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, gjatë ceremonisë së pranimit të një ultrazëri me elastograf në spitalin ‘Dr Sami Haxhibeqiri në Mitrovicë, që ishte vetëm një pjesë e këtij donacioni, tha se ky donacion është një dhuratë jashtëzakonisht e rëndësishme në ndërtimin e kapaciteteve diagnostikuese për spitalet e Kosovës.
“Sot është një dhuratë shumë e rëndësishme e popullit japonez në ndërtimin e kapaciteteve diagnostikuese në spitalin e Mitrovicës, Pejës, Gjilanit dhe Ferizajt. Ne zgjodhëm spitalin e Mitrovicës për këtë përurim për shkak se spitali i Mitrovicës ka nevojë për shumë ndihmë, ndihma materiale, të kuadrove dhe ndihma tjera, prandaj erdhëm këtu”, ka thënë Latifi.
Ndërkaq, Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me punë në Kosovë, është shprehur i lumtur për donacionin, i cili do të ndihmojë më tej sektorin shëndetësor në Kosovë.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Pranvera Zejnullahu-Raçi, u.d. e drejtoreshës së ShSKUK-së, si dhe shumë punëtorë shëndetësorë të spitalit në Mitrovicë.