Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Antropomorfet”. Ky emision përmban tri pulla që paraqesin figura me formë njerëzore, të krijuara nga dora e njeriut, të cilat datojnë nga periudha parahistorike.
“Gërmimet arkeologjike në Republikën e Kosovës kanë zbuluar artefakte të shumta nga epoka të ndryshme, përfshirë epokën e neolitit, të metaleve dhe të antikitetit. Ndër zbulimet më të njohura janë figurinat antropomorfe, të gjetura në lokalitete si Bardhoshi (rreth 5000 vjet p.e.s.), Barileva, Tjerrtorja – Prishtinë, Fafos – Mitrovicë dhe shumë vende të tjera. Këto figura dëshmojnë për kulturën dhe besimet e lashta të shoqërive që kanë banuar këto troje dhe janë pasuri e veçantë e trashëgimisë kulturore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Posta e Kosovës.
“Ftojmë qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që të bëhen pjesë e kësaj përvoje të rrallë duke blerë këto pulla, të cilat pasqyrojnë rrënjët e lashta dhe historinë e pasur të Kosovës, duke e bërë atë të njohur në mbarë botën”, thuhet në njoftim.