Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kërkon nga Bashkimi Evropian që t’i bëjë presion Serbisë që të njohë Kosovën.
Moisiu, në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se pas agresionit rus në Ukrainë dhe mosvendosjen e sanksioneve nga Serbia, Bashkimi Evropian nuk duhet të përkëdhelë Serbinë. Ai kërkon kujdes dhe vigjilencë të Kosovës dhe Shqipërisë edhe për armatosjen e Serbisë nga Rusia dhe Kina.
Sipas tij, dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë për të arritur vetëm një epilog përfundimtar dhe jo për të zvarritur procesin.
“Edhe rusët edhe serbët kanë të njëjtën gjuhë, kjo nuk është e rregullt dhe kjo na shqetëson. Ne i themi fqinjëve tanë, siç kemi jetuar bashkë, do të vazhdojmë të jetojmë, por si komshi. Unë përdor shpesh një fjalë, shokun dhe mikun mund të zgjidhesh, por komshiun ta jep Zoti. E rëndësishme është që të gjejmë mënyrën si të merremi vesh dhe të jetojmë në paqe. Sigurisht kjo nuk është aq e thjesht sa thuhet, por duhet të arrihet. Pasi për të zgjidh problemet, dy rrugë ka, ose me armë, ose bisedojmë. Me armë, lufta këtu është bërë, tani ka ardhur koha të ulet në tavolinë, por me drejtësi, ndershmëri për t’i zgjidhur problemet dhe jo për të zgjatur kohën, këtu duhet edhe Evropa të jetë e kujdesshme”, shton ai.
“Ne, Shqipëria dhe Kosova, vërtetë jemi paqësorë, por duhet të mendojmë edhe më të keqen. Armatoset Serbia, por pse armatoset? Pyetja është jo që armatoset mos do të sulmojë, mos e ka në mendje. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të marrim masa, edhe Kosova dhe Shqipëria, duhet të jemi më seriozë. Kujt ia merrte mendja se Rusia do të sulmonte Ukrainën, asnjë njeri. Janë vende autokrate, edhe Serbia është vend autokrat, nuk është në peshën e Rusisë, por është”, thekson Moisiu.
Megjithatë, ai shton se Kosova duhet t’i bashkëngjitet iniciativës rajonale “Ballkani Hapur”.
Moisiu ka shërbyer si president i Shqipërisë në vitet 2002-2007. Ai është autor i mjaft shkrimeve, artikujve dhe studimeve të botuara në shtypin shqiptar e të huaj, për problemet e artit ushtarak, të politikës së mbrojtjes, të sigurisë rajonale si dhe për zhvillimet në Kosovë.