Ish-kryeshefi i KEK-ut deklarohet i pafajshëm për akuzën për korrupsion
Siguri
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi është deklaruar plotësisht i pafajshëm lidhur me akuzën “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Krasniqi deklarimin për pafajësi e bëri në seancën e shqyrtimit fillestare, e cila u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinës.

“Plotësisht i pafajshëm”, u deklaruar Krasniqi.

Prokurori Special, Dren Paca teksa ka lexuar aktakuzën tha se Nagip Krasniqi në cilësinë e personit zyrtar ka shfrytëzuar pozitën e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Sipas aktakuzës, operatorit “Holding Slovenske Elektrane”, i është mundësuar përfitim pasuror dhe shmangie nga pagesat tatimore, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, në vlerë prej mbi 531 mijë e 920 euro.

Aktakuza thotë se dëmi material ndaj KEK-ut, është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.

Ndërsa, Virtyt Ibrahimaga, mbrojtësi i ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi deklaroi se Prokuroria nuk ia ka dorëzuar mbrojtjes aktvendimin e fillimeve të hetimit.

Sipas tij, edhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike mbi të cilat bazohet Prokuroria Speciale, e ngarkon Nagip Krasniqin me veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtar”, nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe.

Avokati Ibrahimaga kërkoi nga Gjykata që ta obligojë Prokurorinë Speciale që brenda 10 ditësh t’ia dorëzojë aktvendimin e fillimit të hetimeve, si dhe kontratat për shitblerje të energjisë elektrike në gjuhën shqipe.

E për kërkesën e mbrojtjes së Krasniqi, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti obligoi Prokurorinë që në afat prej 15 ditësh të ofrojë provat e kërkuara nga mbrojtja.

Më pas, prokurori special ,Dren Paca u shpreh se duke marrë parasysh që Krasniqi këto kontrata i ka nënshkruar në gjuhën angleze nuk i kanë përkthyer ato.

Pas deklarimit të të akuzuarit, Nagip Krasniqi, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti mori vendim që në afatin prej 30 ditësh i pandehuri dhe mbrojtësi i tij mund ta paraqesin kundërshtimin e provave të cekura në aktakuzë.

Seanca për shqyrtimin fillestare për rastin e ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi javë më parë kishte dështuar pasi mbrojtja nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës.

Prokuroria Speciale më 19 gusht 2024, e kishte ngritur aktakuzën për Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024