IPK del me 11 rekomandime për trajtimin e rasteve të trafikimit me narkotikë
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë”.

IPK në kuadër të raportit ka dhënë 11 rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e ushtrimit të kontrolleve mbi hetuesit që raportimi mbi veprat penale të praktikohet edhe përmes raporteve njoftuese, përpilimin e planeve të hetimit, raportimin e rregullt dhe të plotë mbi zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, kompletimin dhe mirëmbajtjen e dosjeve, sigurimin e urdhëresave retro-aktive për fuqizimin e kontrolleve të shtëpive/objekteve përcjellëse dhe automjeteve, dokumentimin e testimeve fushore të substancave narkotike, intervistimin e të dyshuarve dhe dëshmitarëve potencial, administrimin e dëshmive në dhomat e veçanta, ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në trajtimin e rasteve, etj.

Bazuar në gjetjet e këtij raporti, IPK do të iniciojë procedura ndaj zyrtarëve në kuadër të njësive hetimore të inspektuara, lidhur me mos përpushjen e detyrave dhe obligimeve që rrjedhin nga përshkrimet e vendeve e punës, si rezultat i mos menaxhimit të duhur të rasteve të trafikimit me narkotikë, dosjeve dhe dëshmive.

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë hetimor.

Inspektimi është realizuar me kërkesë të Departamentit të Hetimeve të IPK-së dhe me autorizim të kryeshefit ekzekutiv të IPK-së. Inspektimi është përqendruar në Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, me theks të veçantë në dy Njësitë e Hetimit të Narkotikëve në Prizren dhe Gjakovë.

Kërkesa për inspektim ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve nga burime të informacionit, mbi trajtimin e rasteve dhe administrimin e provave dhe dosjeve.

Inspektimi është fokusuar te veprimet hetimore policore, bashkëpunimi me Prokurorinë e Shtetit, zbatimi i autorizimeve dhe urdhëresave, administrimi i provave, menaxhimi i kohës së hetimeve, mirëmbajtja e evidencave dhe dosjeve, etj. 

Raporti i plotë është publikuar në faqen zyrtare të IPK-së  - shih linkun në vijim: https://ipk.rks-gov.net/Medias/RAPORT%20I%20INSPEKTIMIT%20NR.%203-2024%20-%20VLER%C3%8BSIMI%20I%20TRAJTIMIT%20DHE%20PROCEDIMIT%20T%C3%8B%20RASTE-d2cd626b-7de6-4a31-af79-0c0fc69c39fa.pdf

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024