Simone Inzaghi ka shkruar historinë te Interi duke iu bashkuar një klubi ekskluziv të trajnerëve që kanë gjetur sukses të rëndësishëm te “Nerazzurrët”.
Interi arriti fitoren e 25-të të sezonit në Serie A të hënën në mbrëmje, duke fituar 2:0 ndaj Empolit pas golave të Federico Dimarcos dhe Alexis Sanchez. Klubi tani është vetëm 11 pikë larg nga sigurimi matematikor i Scudettos së 20-të, duke fituar yllin e tyre të dytë, raporton KosovaPress.
“TMW” theksoi se si Inzaghi ka siguruar tani fitoren e tij të 100-të në krye me Interin, duke iu bashkuar listës ekskluzive të trajnerëve që e kanë arritur këtë sukses së bashku me Helenio Herrera (205 fitore në 366 ndeshje), Roberto Mancini (176 fitore në 303 ndeshje), Giovanni Trapattoni (126 fitore në 230 ndeshje) dhe Arpad Weisz (110 fitore në 212 ndeshje).
Trajneri 47-vjeçar italian ka gjithashtu përqindjen më të mirë të fitoreve nga çdo trajner i “Nerazzurrëve” që kaloi më shumë se një vit në krye, duke fituar 66.67% të 150 ndeshjeve të tij në krye.